Design Lifestyle Travel

“Mrekullia e 8-të e Botës”, autostrada që tërheq dhjetëra mijëra vizitorë në vit!

Autostrada Karakoram e cila arrin një lartësi prej 4693 metrash dhe lidh Pakistanin me Kinën, tërheq mijëra vizitorë çdo vit dhe pamjet e saj të lënë pa fjalë. Lartësia e frikshme e rrugës, si dhe kushtet në të cilën u ndërtua i dhanë pseudonimin “Mrekullia e 8-të e Botës”, ndërsa është një atraksion për dhjetëra mijëra vizitorë në vit.

Autostrada Karakoram është 1300 km e gjatë dhe shkon nga qyteti i Hasan Abdal në provincën Punjab të Pakistanit deri në kalimin malor Khunjerab në provincën Gilgit-Baltistan. Nga atje kalon në Kinë dhe vazhdon si Autostrada Kineze 314.

Emri i saj, Karakoram, vjen nga vargmalet me të njëjtin emër, shtëpia e përqendrimit më të madh të majave më të larta se 8,000 metra në tokë, duke përfshirë K2, malin më të lartë në botë pas Malit Everest. Një pjesë e madhe e autostradës konsiderohet se “ndjek” rrugën e lashtë të Mëndafshit dhe për këtë arsye ajo ka një vlerë të madhe historike.

Rruga u mundëson udhëtarëve të vizitojnë akullnajat e mëdha, liqenet dhe lumenjtë e bukur, si dhe luginën e Naltarit si përrallë. E njohur gjithashtu si “Rruga e Miqësisë Kinë-Pakistan”, ndërtimi filloi në vitin 1962 dhe u vu në funksionim për herë të parë në 1979. Megjithatë, përfundimi i rrugës u përlye me gjak, pasi mbi 1000 punëtorë humbën jetën gjatë ndërtimit të saj, kryesisht për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe rënieve nga shkëmbinjtë.