Lifestyle Tech

Nuk duhet ta humbni, gjithçka që duhet të dini për Hënën Rozë të 16 prillit!

Në datën 16 prill, Hëna do të jetë e plotë dhe do të emërtohet Hëna Rozë. Hëna Rozë do të shfaqet e plotë nga sot deri të hënën në mëngjes, sipas NASA-s. Ajo do të jetë në kulmin e saj të plotë të shtunën, 16 prill, në orën 14:55 ET. Hëna Rozë lidhet me lulëzimin pranveror të bimës Phlox subulata, një lule e egër rozë, e lindur në Amerikën e Veriut.

Në të vërtetë, ngjyra e Hënës, e cila do të shkëlqejë më shumë se zakonisht duke qenë e plotë, nuk do të ndryshojë, por emërtimi i saj vjen nga fiset e indianëve të Amerikës, që u vinin emra hënëve të plota gjatë vitit si një mënyrë për të matur kohën.

Kështu, edhe pse hëna e plotë e prillit emërtohet Hëna Rozë, mos prisni që të duket rozë. Ajo emërtohet kështu për shkak të disa luleve rozë që lulëzojnë në fillim të pranverës në Amerikën Veriore, por ajo quhet dhe Hëna e Shpërthimit të Barit, Hëna Vezë dhe Hëna Peshk në pjesë të ndryshme të planetit.

Hëna Rozë, megjithatë, ka një rëndësi të veçantë, sepse përkon me festa të ndryshme. Pashkët festohen të dielën e parë pas hënës së plotë, e cila ndjek ekuinoksin e pranverës. Popullsitë Hindu festojnë lindjen e Hanuman-t në Indi në një festival të quajtur Hanuman Jayanti. Hëna e plotë e prillit gjithashtu shënon fillimin e ditëve kur hebrenjtë kujtojnë çlirimin nga Zoti në Egjipt.

Rikujtojmë, se Hëna e parë e plotë e këtij viti, ndriçoi qiellin në muajin janar dhe fotografët fiksuan të gjithë shkëlqimin e saj, në disa imazhe mbresëlënëse. E njohur ndryshe si “Hëna e ujkut”, ajo u emërua kështu pasi në besëtytnitë e ndryshme popullore, ulërinin më shpesh në këtë periudhë të vitit.

Ndërkaq, ju sjellim në vëmendje se është zbuluar sistemi i parë i vëzhguar ndonjëherë i përbërë nga një asteroid dhe tri hëna. Asteroidi, i quajtur 130 Elektra, u zbulua në vitin 1873, por vetëm me kalimin e viteve u bë e mundur të shiheshin tre satelitët që rrotulloheshin rreth tij.