Aktualitet

Pas tragjedisë së Himarës, Nano shkarkon zinxhirin drejtues të Policisë së Kufirit Vlorë/Qytetarët: Nuk mjafton!

Pas tragjedisë së djeshme në Himarë ku një gomone në breg të detit, me drejtues Arjan Tasen, masakroi një vajzë 7-vjeçe duke shkaktuar tronditje e indinjatë, kryepolici Gledis Nano nuk u mjaftua vetëm me përjashtimin e tij nga radhët e policisë. I arrestuari për ngjarjen mjaft të rëndë mbante detyrën e shefit të Policimit në Komunitet, në Drejtorinë e Policisë Elbasan. Gjithashtu, ka qenë shef i Komisariatit të Himarës.

Po ashtu, Nano njoftoi shkarkimin nga detyra të të gjithë zinxhirit komandues të Policisë së Kufirit dhe Migracionit Vlorë. Të shkarkuarit janë:

Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj, me detyrë Drejtor i DVKM Vlorë;

Komisar Fatos Muka, me detyrë Shef Sektori i Kufirit në DVKM Vlorë;

Kryekomisar Andon Marko, me detyrë Shef Sektori i Zbatimit të Masave Plotësuese për Kontrollin e Territorit, në DVKM Vlorë;

Nënkomisar Dritan Veizaj dhe Ervis Alisinanaj, me detyrë specialistë pranë këtij Sektori;

Inspektorë Ardian Kamaj, Granit Nuraj, Jonel Ahmeti dhe Juljan Mehmetaj, efektivë të Sektorit për Zbatimin e Masave Plotësuese për Kontrollin e Territorit, në DVKM Vlorë;

Nënkomisar Neritan Buzi, Shef Stacioni i Policisë Kufitare Dhërmi;

Nënkomisar Daniel Likskëndaj, specialist pranë këtij Sektori;

Inspektorë Andrea Zenelaj, Besnik Limaj, Fatos Pashaj dhe Arsen Hasanaj, trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi.

Por, për qytetarët kjo është diçka e momentit për të zbutur disi pasojat e asaj që ka ndodhur e se nuk mjafton. Pas njoftimit në faqen e Policisë së Shtetit në Facebook, komentuesit kërkuan edhe largimin e tij, si dhe të ministrave të Brendshëm e të Turizmit, Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro.

Policia e ShtetitShkarkohet i gjithë zinxhiri komandues i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë dhe…

Posted by Policia e Shtetit on Tuesday, August 2, 2022

Mjetet lundruese me shpejtësi e që kryejnë manovra të rrezikshme po kthehen në makthin e pushuesve. Vetëm në pak më shumë se dy javë janë shënuar tre raste aksidentesh, me tre të lënduar, përfshirë një fëmijë 7-vjeç dhe më i fundit e padyshim më i rëndi, ai i një dite më parë me vdekjen tragjike të vajzës 7-vjeçe.