Gossip Showbiz

Për një fjalë goje…Brigitte Bardot gjobitet nga një gjykatë franceze!

Së fundmi, një gjykatë franceze ka gjobitur legjendën e kinematografisë botërore, Brigitte Bardot e cila prej kohësh është kthyer në aktiviste për të drejtat e kafshëve. Shkaku i gjobitjes me 5000 euro, u bë fjala “çnjerëzor”, të cilën Brigitte ia drejtoi kreut të federatës kombëtare të gjuetarëve.

Gjykata në qytetin verior të Arras, e shpalli aktoren 86-vjeçare fajtore për ofendim publik të Willy Schraen dhe anëtarëve të klubit të tij të gjuetisë, të cilët ajo i përshkroi si “terrorist të botës së kafshëve”. Për më tepër, ajo do të paguajë 1.000 euro dëmshpërblime për shefin e gjuetisë dhe 1.000 të tjera për shpenzimet ligjore.

Fyerjet, që Bardot i pranoi se tingëlluan “paksa të vrazhda”, u shfaqën në një artikull që ajo shkroi në fund të vitit 2019 për fondacionin e saj për të drejtat e kafshëve. Aty ajo akuzoi Presidentin Emmanuel Macron për përpjekjen për të mashtruar votuesit duke zbutur ligjet e gjuetisë.

Rikujtojmë, se legjenda e filmit francez, Bardot, para disa viteve ka kritikuar atë që e cilëson: “trajtim barbar të kafshëve në qytetet ruse”. Fondacioni i 86-vjeçares postoi një letër drejtuar Presidentit Vladimir Putin duke shprehur shqetësimet për kafshët në rrugë.

Ajo ka qenë një ndër ikonat e bukurisë në vitet ’50-’60 dhe një aktore mjaft e talentuar që gjithmonë ka ditur si të tërheqë vëmendje. Brigitte së fundmi ka dhënë një intervistë jo fort të këndshme për prestigjosen italiane, “Oggi”. 86-vjeçarja është shprehur se pandemia e COVID-19 është diçka pozitive për të gjithë njerëzimin e mbi të gjitha për planetin ku ne jetojmë.