Celebrities Film & Tv Showbiz

Për të fiksuarit pas “Joker”, kemi një lajm të mirë!

Joaquin Phoenix do të rikthehet pas 3-vjetësh me një seri të dytë të filmit, “Joker: Folie à Deux”. Klouni i famshëm do të vijë përsëri për një tjetër film solo. Shkrimtari dhe regjisori i Joker, Todd Phillips postoi një foto në Instagram me kopertinën e skenarit duke konfirmuar se aktualisht është duke punuar për ‘Joker 2’ ose siç e quan ai, skenari “Joker: Folie à Deux”.

Së bashku me foton e skenarit, Phillips postoi edhe një foto të vetë Jokerit, Joaquin Phoenix. Me sa duket, konfirmon kështu që Phoenix do të kthehet për të përsëritur rolin e tij në vazhdimin e filmit të 2019-ës. Detaje të tjera të skenarit nuk janë zbuluar nga Phillips, por disa medie ndërkombëtare kanë aluduar se mund të jetë e ftuar në film edhe partnerja e Joker-it, Harley Quinn, personazh i luajtur nga Margot Robbie.

Rikujtojmë, se programi dedikuar kinematografisë në TAR,  “At the Movies”, risolli pak kohë më parë në vëmendje filmin shumë të diskutuar, “Joker”. Në fund të 2019-ës filmi tërhoqi tej mase vëmendjen, po aq sa debate e madje edhe protesta në Amerikë, duke e cilësuar atë si nxitës të dhunës. Elsa Ymeri, moderatore dhe psikologe, komentoi aspektin socio-psikologjik dhe mesazhet që përcolli “Joker”.

Shumë do bënin fajtor individin, Joker-in, një person me probleme të shëndetit mendor, për të gjithë jetën e tij, ndërsa disa të tjerë do ia hidhnin fajin sistemit dhe shoqërisë që i lë ata në harresë. E vërteta është se Jokeri është ‘produkt’ i të dyjave, individi nuk është përgjegjës për atë që është, por edhe i shoqërisë dhe institucioneve që tregohen indiferentë dhe nuk bëjnë punën me persona të tillë.

Filmi me personazhin famëkeq grumbulloi 18.9 milionë dollarë nga shitjet e biletave dhe 849 milionë dollarë fitime në total në të gjithë botën duke e shndërruar atë në filmin më të suksesshëm të “Box Office” në vitin 2019.