Aktualitet

“Prisni se ç’do ndodhë sot”, Berisha publikon audioregjistrimin nga mbledhja në shkollën “Fan Noli”, prindi: Klasa e dinte për thikën, ua kishte treguar autori

Një audio e regjistruar gjatë mbledhjes së prindërve me mësuesit në shkollën “Fan Noli” pas vrasjes së 14-vjeçarit, Martin Cani, është publikuar sot në faqen e Facebook-ut të ish-kryeministrit Sali Berisha.

LEXO EDHE: Vrau Martinin, gjykata lë në burg autorin/14 vjeçari: Nuk mbaj mend gjë!

Në këtë audio dëgjohet një prej prindërve që i drejtohet mësuesve me të cilët po zhvillohet mbledhja, duke thënë se duhet të mbajë përgjegjësi mësuesja që i ka dhënë leje orën e 5-të autorit të dyshuar, edhe pse ishte në dijeni të konfliktit që kishte me Martinin. Po ashtu thotë se përgjegjësi duhet të mbajë edhe drejtoresha e shkollës dhe oficerja e policisë.

Sipas prindit, klasa e dinte për thikën që autori i dyshuar kishte marrë, pasi ua kishte treguar shokëve dhe u kishte thënë “prisni sot se çfarë ka për të ndodhur”.

 LEXO EDHE: Protestë për vrasjen e Martinit te Ministria e Arsimit/Mesazhi prekës i prindërve!

“Përgjegjësia juaj është që ata fëmijë mos vinin as orën e pestë as orën e gjashtë, që kishin marrë leje siç u përfol nga shkolla. Për atë zyshë duhet të merren masa, si edhe për  drejtoreshën, edhe për oficeren e sigurisë.

Kur një fëmijë që po përflitej në gjithë klasën… Ai djalë kishte thënë ‘prisni ju se çfarë do të ndodhë sot’, u ka thënë shokëve të klasës ‘do të vij me një thikë ’ dhe ua ka treguar dhe  shokëve”… dëgjohet të thotë prindi.