Aktualitet

Protestë për vrasjen e Martinit te Ministria e Arsimit/Mesazhi prekës i prindërve!

Dhjetëra protestues iu bashkuan protestës për vrasjen e 14 vjeçarit Martin Cani më 18 nëntor dhe që nisi me një marshim nga shkolla 9 vjeçare “Fan Noli” ku mësonte viktima, për t’u ndaluar para Ministrisë së Arsimit. Të pranishmit shpalosën edhe një banderolë me mbishkrimin “Institucionet e papërgjegjshme vrasin”. Disa nxënës mbanin në duar foto të Martinit me mbishkrimin “Rest in peace Martin” (Prehu në paqe Martin).

Ndërkaq, në një moment prekës, aty u lexua edhe një mesazh nga nëna e babai i Martinit. Mes dhimbjes së papërshkrueshme e boshllëkut të krijuar, dy prindërit shprehin mirënjohje e falënderime, me urimin që askush të mos e provojë më dhimbjen që po ndjejnë ata.

Përshëndetje,

Një mesazh i ndjerë nga mami i Martinit, në pamundësi të bashkohem suportit tuaj. Nuk mendoj që ka fjalë për të përshkruar këtë dhimbje dhe boshllëk që na ka lënë. Falenderoj të gjithë popullin dhe FSHF-në për praninë dhe mbështetjen në këto momente. Nuk di sa mirënjohëse mund të jem për ata që iu gjënden Martinit pranë në momentet e tij të fundit.

Ju falenderoj nga zemra, Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja. Si nënë që jam uroj nga thellësia e shpirtit që askush mos ta provojë  më këtë dhimbje. Me respekt Florina dhe Angel Cani.

Një nxënëse nga klasa e Martinit, u shpreh:

Ne kemi humbur një shok që e kemi pasur 9 vite në klasë. Kur e mendoj që kemi humbur… na ka lënduar kaq shumë në zemër. E kemi parë që kur është rritur. Kur e mendoj se në shkollë në vend të jemi të sigurt, të lumtur, jemi të frikësuar se kush mund të na kërcënojë.

Ne shihnim në shkollë nxënës me thikë në dorë se si bënin të fortë. Ku është kjo siguri nga shkolla, nga oficerja? Kemi humbur një shok të zemrës. Ata donin që ne të bënim mësim, që ne ta kalonim këtë gjë. Nuk di çfarë turpi kanë ata që e drejtojnë atë shkollë. Më vjen shumë keq dhe jemi të lënduar nga humbja e shokut tonë 14-vjeçar.

Në protestën për Martinin pati edhe thirrje për dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu krahas atyre për më shumë siguri në shkolla e mbyllje të rrjeteve sociale.

Nesër jepet masa e sigurisë për 14 vjeçarin e akuzuar se vrau me thikë bashkëmoshatarin, pranë shkollës 9 vjeçare “Fan Noli” ku që të dy mësonin, në qendër të Tiranës. Mësohet se i mituri është arrestuar nga policia e ndodhet në burg. Prokuroria e akuzon për “Vrasje në rrethana cilësuese” duke ashpërsuar akuzën ndaj tij për ngjarjen që ka tronditur mbarë opinionin publik.