Bota

Putin: “Rusia nuk izolohet!”

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan “të pamundur” izolimin e Rusisë. Pavarësisht sanksioneve në rritje, shefi i Kremlinit thotë se “vendi nuk do të mbyllet”.

Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë partnerët që dëshirojnë e nuk ka qëllim të mbyllet.

Putin pretendon se me ndërhyrjen në Ukrainë po ndihmojnë dhe shpëtojnë njerëz nga njëra anë ndërsa nga tjetra, “po punojnë për të garantuar sigurinë ruse”.

Sigurisht që nuk kishim zgjidhje, ky është vendimi i duhur!

Po ashtu, presidenti rus nuk ka dyshime se objektivi për të mbrojtur Donbasin do të arrihet.

Kjo do të ndodhë, nuk ka dyshime! Objektivat janë plotësisht të qartë dhe fisnikë.

Ndërkohë, Kievi zyrtar akuzon Moskën se përmes një droni ka shpërndarë substanca toksike në Mariupol, madje nuk e përjashton mundësinë që të kenë qenë armë kimike. Londra është vënë në lëvizje duke verifikuar zërat se rusët synojnë të përdorin armë kimike në Ukrainë. Ndërkaq, separatistët e të ashtuquajturës Republikë Popullore e Donjeckut përgënjeshtrojnë përdorimin e armëve kimike në Mariupol.

Një tjetër akuzë e Kievit për Moskën është se infiltrojnë refugjatë të rremë në korridoret humanitare që lejojnë për evakuimin e civilëve. Në rajonin Mykolaiv u kapën disa ushtarë rusë të maskuar si civilë dhe që udhëtonin me tre makina.

Referuar UNICEF-it janë rreth 4.8 nga 7.5 milion fëmijë në Ukrainë, të zhvendosur nga fillimi i luftës në Ukrainë, më 24 shkurt. Gjithashtu, 1.5 milion të mitur të tjerë rrezikojnë urinë. Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, presidenti Zelensky thotë se “rusët kanë lënë kudo mina në rajonet veriore të vendit”. Sipas Zelensky-t “ato janë shpërndarë në shtëpi, rrugë, makina e porta, duke e bërë shumë të rrezikshëm rikthimin në zonat e shënjestruara”. Në një video-mesazh, kreu i shtetit foli për qindra mijëra objekte të rrezikshëm, mina e plumba të pashpërthyer. Po ashtu, shprehu shqetësimin për mundësinë e përdorimit të armëve kimike ruse, në një tjetër fazë terrori.

Në Mariupol gjendja është katastrofike dhe kryebashkiaku Vadym Boychenko flet për mbi 10 mijë civilë të vrarë e paralajmëron se shumë shpejt mund të arrihet në 20 mijë viktima. Ndërkohë, rusët po ripozicionohen në pjesën jugore të lumit Bug, në kufi me rajonin Kherson, në Ukrainën e jugut.