Lifestyle Travel

Pyetjet tuaja tanimë do të marrin përgjigje, disa nga sekretet e fluturimit!

Me mijëra njerëz fluturojnë çdo ditë por sërish pyetjet pa përgjigje janë të shumta gjatë udhëtimeve. Një grup pilotësh kanë zbardhur disa nga misteret më të mëdha të fluturimit në ‘Newsweek’. Zakonisht, në kabinën e një avioni janë dy pilotë, njëri kapiteni dhe tjetri ndihmës i tij. Të dy ata janë plotësisht të kualifikuar për të drejtuar avionin, por ka disa dallime mes punëve të tyre. Për t’u kualifikuar si kapiten, një pilot duket të ketë 2500 orë përvojë fluturimi, ndërsa për oficer të parë nevojiten vetëm 1500 orë.

Patrick Smith, një pilot nga Bostoni, Masaçusets, tha se pavarësisht ndryshimit, oficeri i parë nuk është definitivisht një “nxënës” për kapitenin. Ai theksoi se kapiteni është zyrtarisht në krye, ndërsa ndihmësi i parë zakonisht realizon të njëjtën numër uljesh dhe ngritjesh në të gjitha kushtet e motit dhe janë po aq të përfshirë në vendimmarrje gjatë një fluturimi. Oficeri i parë ka disa detyra të tjera, si përgatitja e avionit dhe e kabinës përpara fluturimit, mbajtja e të dhënave të navigimit dhe ngjarjeve që ndodhin gjatë një fluturimi, të tilla si turbulencat, komunikimi me ekuipazhin e të tjera.

Të kesh dy pilotë në avion është jetike kur njëri prej tyre sëmuret dhe nuk është i aftë për të drejtuar avionin. Por çfarë ndodh nëse dhe kapiteni dhe oficeri i parë do të sëmureshin njëkohësisht dhe nuk do të ishin të aftë të drejtonin avionin? Tony Shen, një ish-pilot shpjegoi se nëse diçka u ndodh të dy pilotëve, ekuipazhi i fluturimit do të kërkojë pasagjerë që kanë përvojë fluturimi. Ish-piloti Dan Bubb, shpjegoi se është jashtëzakonisht e rrallë që të ndodhë kjo, veçanërisht sepse pilotët marrin masa ekstreme për të siguruar që të dy të mos sëmuren në të njëjtën kohë. Pilotët porosisin ushqime të ndryshme për këtë arsye.

Nëse sëmundja është e rëndë dhe ndodh në mes të fluturimit, pilotët do të shpallnin emergjencën dhe do të uleshin në aeroportin më të afërt. Ndërkaq, çfarë ndodh nëse një pasagjer vdes gjatë fluturimit? Sipas Bubb, ekuipazhi bën gjithçka për ta mbajtur atë sekret. Sa i përket urgjencave mjekësore, ekuipazhi është i gjithë i trajnuar për të dhënë ndihmën e parë.