Top Channel u përball me një situatë të rëndë pasi u qëllua me armë zjarri në drejtim të mjediseve së televizionit kombëtar nga persona ende të paidentifikuar. Nga të shtënat rreth orës 01:00 pas mesnate humbi jetën roja i sigurisë, Pal Kola 60 vjeç. Rrethanat janë të paqarta.
Në autostradën e Kavajës, te vendi i quajtur “Përroi i Agait” u gjet një mjet i djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve. Sipas informacioneve, targat e makinës rezultojnë të vjedhura.
Policia është në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave. Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli e vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Tiranë/Informacion paraprak
Në datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P.K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).
Eshtë ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve.


