Aktualitet

Rama për “Die Welt”: Ndikimi rus, rrezik për destabilitetin në rajon!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, shprehet se rajoni i Ballkanit Perëndimor është “i pambrojtur” nga ndikimi rus ndaj ekziston rreziku për destabilitet.

“Rajoni është i pambrojtur sepse ndikimi rus është shumë i fortë, jo në Shqipëri, por në Bosnje, Mal të Zi dhe veçanërisht në Serbi”, tha Rama.

I pyetur nëse Shqipëria do të ndryshojë qëndrim për tendencën pro ruse të Serbisë, Rama tha se do ta kishte ndërprerë bashkëpunimin në rast se do të dilte kundër Perëndimit në OKB.

“Serbia nuk po shkon drejt Rusisë. Përkundrazi, në mënyrë të çuditshme, ajo mori anën e Perëndimit duke dënuar agresionin rus në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Është një shenjë shumë e mirë që Serbia votoi tre herë kundër Rusisë. Nëse Serbia do të kishte bërë të kundërtën, do të ishte një goditje e rëndë për bashkëpunimin tonë”, u shpreh Rama.

Pjesë nga intervista:

WELT: Po sikur BE – e thënë me fjalët tuaja – të mos pranojë kurrë të martohet me Shqipërinë? Kur t’ju shterojë durimi dhe të filloni të kërkoni për një partner të ri, ndoshta pak më në lindje…

Rama: Nëse BE-ja nuk pranon të martohet, ne do të plakemi pa u martuar kurrë. Ne do të jemi murgeshat e Evropës. Por ne kurrë nuk do të heqim dorë nga përpjekjet për t’u martuar me BE-në dhe me askënd tjetër.

WELT: Le të flasim për luftën në Ukrainë. Shqipëria merr shumë lëndë të para prej andej, por edhe nga Rusia. Çmimet e karburantit dhe grurit janë rritur, duke nxitur protesta masive gjatë muajit të kaluar. Si keni ndërmend të çliroheni nga kjo varësi?

Rama: Ne kemi probleme me çmimet, por aktualisht po punojmë ngushtë me importuesit dhe vendet partnere për të siguruar furnizimin, që të mos ketë mungesa. Ka një urë të rëndësishme me Serbinë, e cila prej shumë vitesh furnizon me grurë kompanitë shqiptare. Ne kemi krijuar rezerva duke u dhënë importuesve tanë të ushqimit bazë një garanci se ata mund të blejnë më shumë se zakonisht dhe nuk do të kenë asnjë problem në periudhën afatmesme. Çmimet janë ende të larta, por nuk arrijnë deri në kupë të qiellit. Ne kemi prezantuar gjithashtu “Paketën e Rezistencës Sociale” që siguron fonde, në bazë të rritjes së çmimeve, për pensionistët dhe grupet e tjera vulnerabël, si dhe subvencione për kompanitë e transportit publik dhe fermerët. Këto masa i qetësojnë të gjithë.