Sociale

Reshje të dendura dëbore; nis stuhia në Bulqizë, bllokohet rruga e Arbrit.

I gjithë rrethi i Bulqizës është përfshirë nga reshjet e dendura të dëborës duke vështirësuar qarkullimin në të gjitha rrugët nacionale dhe ato rurale.

Në të gjitha rrugët rurale, lëvizja bëhet vetëm me zinxhirë, ndërsa pa zinxhirë por me vështirësi lëvizet në akset nacionale. I bllokuar është aksi i Qafë Murrizit në rrugën e Arbrit ku po punohet për hapjen e rrugës.

Aktualisht reshjet po vijojnë me intensitet të lartë, të shoqëruar dhe me erë të fortë. Trashësia e dëborës në qytet ka arritur në 10 cm ndërsa në njësitë administrative Trebisht, Ostren, Fushë Bulqizë, Martanesh, Zerqan Shupenz vijon nga 20 deri në 40 cm!

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që lëvizin në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas nëpërmjet bypass- Qafë Murrizë, të ndjekin aksin rrugor Klos-Burrel-Ulëz, dhe të mos shkaktojnë trafik.

Akset rrugore kryesore Bulqizë-Peshkopi; Bulqizë-Klos; janë të kalueshme, por këshillohet që drejtuesit të mos qarkullojnë pa goma dimërore dhe të jenë të pajisur me mjetet antirrëshqitëse.

Policia e Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit, të shmangin lëvizjet e panevojshme, të moderojnë shpejtësinë dhe të mos bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë.