Rikthehen tensionet në veri të Kosovës, një ditë pas betimit të kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok, pasi i Mitrovicës së Veriut u betua një javë më parë, më 19 maj. Ata nuk po lejohen të hyjnë në zyrat e komunave që do të drejtojnë. Për arsye sigurie, betimin e bënë në mjedise shkollash. Sot në Zveçan, policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë qytetarët e mbledhur para godinës së komunës. Po ashtu, u dëgjuan të shtëna në përpjekje për të larguar njerëzit.
Ndërkaq, në Leposaviç u rikthyen barrikadat. Disa kamionë janë parkuar në mes të rrugëve në hyrjet e daljet e kësaj komune. Më herët, atje dhe në Zubin Potok e Zveçan ranë sirenat e alarmit dhe u mblodhën qytetarë. Në Zveçan u pa të patrullonte një helikopter i KFOR-it, forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë. Në Zubin Potok raportohet pjesëmarrja e trupave të misionit europian, EULEX, krahas atyre të policisë së Kosovës.
Tensionet e rikthyera në veri të Kosovës, Prishtina fajëson strukturat kriminale e ilegale të Serbisë për përshkallzimin e situatës. “Dhuna nuk do të mbizotërojë. Serbia mban përgjegjësi të plotë për përshkallëzimin”, – shkroi në Twitter, Blerim Vela, shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani. I menjëhershëm reagimi i Beogradit zyrtar. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç dha urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe në nivelin më të lartë.
Ministri i Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, tha se kryetarët e rinj të komunave në veri duhet ta kryejnë punën nga zyrat e komunave, bashkë me nëpunësit civilë. Në Facebook shkruan:
Ata janë zotuar se do t’iu shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim. E, si institucione qendrore, e kemi obligim që t’ua sigurojmë dhe mundësojmë përmbushjen e këtyre obligimeve. Komuna është e qytetarëve. Qytetarët nuk mund të mbeten pa komunë.
Në veri u zhvilluan zgjedhje vendore më 23 prill, pas dorëheqjes së nëntorit të kaluar të kryetarëve të komunave nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ky subjekt politik veproi në shenjë proteste ndaj vendimit të Prishtinës zyrtare për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa serbe.
Votimet u bojkotuan nga popullata serbe që përbën shumicën në atë zonë dhe që tani nuk i pranon rezultatet, pra po refuzon kryetarët e rinj. Pjesëmarrja në zgjedhjet e muajit të kaluar ishte në shifrën 3.47% të numrit të përgjithshëm të personave me të drejtë vote, çka nënkupton një dalje shumë të ulët. Tensionet e krijuara sot lidhen me vendosmërinë e serbëve për të mos lejuar vendosjen e kryekomunarëve të rinj shqiptarë në mjediset zyrtare të komunave që do të drejtojnë e që deri tani funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.