Aktualitet

Rreth 40 banorë banorë të helmuar në Gjoricë të Bulqizës, shkak uji i ndotur!

Nga dita e premte ka shkuar në rreth 40, numri i personave që paraqiten në qendrën shëndetësore të Gjoricës në Bulqizë për të marrë ndihmë mjekësore pasi kanë simptoma helmimi, të tilla si dhimbje barku, diarre e të vjella. Nga analizat paraprake laboratorike, uji i pijshëm rezultoi i kontaminuar, por vazhdojnë analizat e detajuara, me përfshirjen e instancave përgjegjëse në Tiranë. Mësohet se në kuadër të masave, Ujësjellësi ndërpreu furnizimin me ujë të zonës.

Mjeku i qendrës shëndetësore, Telmond Veliu thotë se këtë të diel, numri i atyre që paraqiten me simptoma helmimi duket në rënie, krahasuar me të premten e të shtunën.

Sot dita e tretë që vazhdojnë rastet dhe ishin rreth 7 apo 8 vetë. Simptomat janë dhimbje barku, diarre e të vjella, karakteristikë e asaj që mendohet të jetë helmim nga uji. Pacientët nuk patën komplikacione të rënda e shpresojmë të vazhdojë të përmirësohet situata.

Ndërkaq, autoritetet kanë nisur hetime lidhur me shkaqet. Më herët, Policia e Bulqizës informoi se në lidhje me ngjarjen në Gjoricë, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, AKU e nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon intensivisht punën për sqarimin e plotë të rrethanave të asaj që ka ndodhur.