Art & Kulturë Sot Nuk Është e Hënë

“Rrjedha e dashurisë”, një roman dashurie aspak klishe që mund të ndryshojë këndvështrimin për jetën!

“Rrjedha e dashurisë” nga autori Alain De Botton, është një gërshetim i romanit me udhërrëfyesin për marrëdhëniet në çift. Botton kryen një hulumtim të mençur dhe të hollësishëm mbi kompleksitetin e marrëdhënieve romantike dhe veçanërisht, martesën. Gjakftohtësia intelektuale dhe mprehtësia artistike ofrojnë një analizë të të gjitha etapave nëpër të cilat kalon një lidhje.

Ky libër krahas rrëfimit që sjell për një çift që nga njohja e deri te jeta bashkëshortore, na jep edhe një hulumtim dhe një analizë se cilat janë disa nga gabimet kryesore që çiftet në përgjithësi bëjnë gjatë rrugëtimit të tyre të përbashkët. Autori me gjakftohtësi i paralajmëron lexuesit e vet se një lidhje romantike nuk mbetet e pandryshuar dhe e ëmbël nga fillimi deri në fund, por se ajo ndryshon bashkë me njerëzit. Përmes historisë së dy personazheve kryesore, Rabihut dhe Kirstenit, autori De Botton bëhet udhërrëfyes i lidhjes sentimentale të çdo lexuesi.

Autori ndjek boshtin e së vërtetës fund e krye, duke mos u rrekur për asnjë çast ta manipulojë lexuesin me fraza klishe apo t’i komunikojë atij pikërisht ato fjalë që ky i fundit do të donte të dëgjonte. Botton guxon t’i paralajmërojë romantikët se marrëdhënia me një njeri, aq më tepër një marrëdhënie e shtrirë gjatë në kohë, nuk e ka aftësinë të mbetet e pandryshuar, në atë gjendjen statike të fillimit të saj, pra të pasionit marramendës dhe iluzioneve të ndryshme që ky i fundit provokon. Sepse marrëdhëniet ndryshojnë së bashku me njerëzit.

Gjithashtu, ai ngre një pyetje të domosdoshme së cilës i jep përgjigje hap pas hapi: “Çfarë është dashuria?” Ç’është kjo forcë vetëmohuese ndaj së cilës njeriu zgjedh me vullnet të plotë të robërohet? Por mbi të gjitha, a jemi ne të aftë ta shquajmë dashurinë e të mos biem pre e formave të gënjeshtërta që mitizimi i saj ka krijuar?

Botton përpiqet të shquajë se si dashuria materializohet në përditshmëri dhe nëse ka një shpresë për jetëgjatësinë e saj, pavarësisht problemeve, shpesh fatale që mund ta shoqërojnë atë. Ai është një autor i matur dhe modest e nuk pretendon për asnjë çast të ketë çelësin e të vërtetave absolute. Përkundrazi, duke na ftuar publikisht në një diskutim të domosdoshëm, ai përqendrohet te forca dialektike e të arriturit në një përfundim logjik, duke dhënë sugjerime e arsyetime të larmishme; në pritje që mbase ne të ndalojmë gjatë rreshtave për t’u menduar, ose për të dashur të flasim pothuajse si në terapinë e llojit që ndjekin personazhet e tij apo së paku, thjesht të bluajmë vetmevete gjithë sa na ofrohet.

Mënyra se si ky autori e kryen zbërthimin e sjelljeve sociale dhe fenomenit më të rëndësishëm njerëzor, atë të krijimit dhe ruajtjes së marrëdhënieve, është nëpërmjet zgjedhjes së një gjuhe të thjeshtë, një gjuhe që i flet gati çdo lexuesi dhe i shtjellon atij koncepte të komplikuara nëpërmjet frazash e shembujsh të përditshëm, lehtësisht të përvetësueshëm. Pikërisht këtu përmblidhet gjenialiteti i tij. Një tjetër mjeshtëri e veprës është edhe aspekti psikologjik i personazheve.

Botton na paraqitet si një njohës shumë i mirë i psikikës njerëzore kur zbërthen shkaqet e që i bën personazhet e tij; Rabihun (një burrë i ri lebanezo-gjerman, sentimental, i pasigurt) dhe Kirstenin (një grua e re skoceze, inteligjente, e pavarur, e fortë), të ndërmarrin veprime si tradhtia, falja apo mëria. Ai përqendrohet në dijen psikanalitike për t’u dhënë kuptime sa më drejta sjelljeve dhe mendimeve që e përbëjnë një lidhje si ajo e Kirstenit dhe Rabihut e më tutje, atë të të dyve me fëmijët që do të sjellin në jetë.