Aktualitet

Samiti i 6 dhjetorit, Rama: Nuk besoj për incidente, siguria nuk negociohet!

Dy ditë para samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, sot në një bashkëbisedim me qytetarë në rrjetet sociale, kryeministri Rama tha se nuk beson se do të ketë incidente.

S’besoj që do të kemi incidente. Samiti ka kohë që organizohet dhe përfshin shumë institucione. Perimetri i sigurisë së samiteve, nuk negociohet. Ndodh që forca të caktuara, organizata e grupime që janë kundër samiteve, të bëjnë protesta.

Nuk ndodh e nuk ka si të bëhen protesta pro samiteve, por kundër. Ato zhvillohen jashtë perimetrave të sigurisë, në të gjitha rastet e vendet. Se shoh si çështje midis PS-së, qeverisë e një pjese të ashtuquajturës opozitë. Duan vetëm të tregojnë se mblidhet gjithë BE-ja në një narkoshtet. Njollosje! Siguria e samitit, nuk negociohet me askënd!

Rama tha se nuk ka pasur shqetësime nga liderët europianë për protestën e opozitës më 6 dhjetor.

Nuk është shprehur asnjë shqetësim. Ne jemi të bindur se në fund të ditës mund të ketë shfaqje alla “Koncert në vitin 1936” e ku në vend të të ndjerit Albert Verria të jetë një tjetër i lënë nga mendja. Por, përtej kësaj nuk shohim asgjë më shumë se kaq. Janë marrë të gjitha masat e unë shpresoj që individët e tjerë nuk do të shkojnë me këmbët e tyre në atë qorrsokak ku ka pasoja ligjore shumë të qarta.

Nuk kanë arsye ta bëjnë se mund të protestojnë pak më tutje. E dyta, se mund të protestojnë këtu ku e kanë bërë zakon, e treta se nuk është çështje e qeverisë shqiptare. Kjo është çështje sigurie, nuk ka asnjë vlerësim që ka ndikuar në këtë. Për shkak të mënyrës si funksionojnë këto evente, ka gjithmonë një sistem mbështetës, për çdo gjë që mund të ndodhë.

E ndërsa shprehu bindjen se PS-ja do t’i fitojë zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, një koment, shefi i qeverisë e kishte edhe për Primaret në PD.

Jemi të pathyeshëm! Këto janë zgjedhje me rëndësi të veçantë, i kemi dhënë shumë rëndësi. Ju jeni edhe dëshmitarë, në çdo zgjedhje përsosim organizimin tonë dhe jemi një makineri që nuk thyhet.

Të tjerët i duartrokasim në përpjekjet për t’u përmirësuar, por janë shumë larg nesh. Pastaj, ne e paguajmë me akuza jo na i grabitët, jo na vodhën, ne zgjedhjet i fitojmë!