Aktualitet Politikë

Tërheqja e kandidatëve nga Primaret në PD, Berisha: Asnjë ndikim nga Kryesia e kryetari!

Zyrtarisht, Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike njofton se votimet për Primaret do të zgjasin deri sa të ketë votuar edhe personi i fundit.

Njoftimi zyrtar

Ditën e diel, datë 4 dhjetor 2022, janë duke u  zhvilluar votimet e Primareve për kandidatët për Kryetarë Bashkie të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Procesi i votimit ka nisur dhe po zhvillohet normalisht në të gjitha degët ë Partisë Demokratike ku zhvillohen Primaret sot!

Procesi i votimit do të mbyllet në orën 18:00. Nëse në orën 18.00 do të ketë anëtarë të PD që ende nuk kanë votuar, Qendrat e Votimit nuk do të mbyllen derisa të ketë votuar edhe personi i fundit.

Anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD votojnë në njërën prej dy qendrave të votimit: në Selinë Qendrore të Partisë Demokratike ose në degët ku ata janë të deleguar pasi të kenë njoftuar pranë Komisionit.

Data 4 dhjetor është një ditë historike jo vetëm për PD-në, por për të gjithë shqiptarët! Anëtarë e simpatizantë të PD do të zgjedhin me votën e tyre kandidatin e tyre për kryetar të bashkisë.

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale fton të gjithë anëtarët e simpatizantët e PD-së, të bëhen pjesë e procesit të Primareve.

Kreu demokrat Berisha votoi në Selinë Blu:

Eshtë një ditë e madhe për PD-në, një burim drite për demokracinë shqiptare, kjo ditë në të cilën dhjetëra-mijëra anëtarë dhe simpatizantë të PD-së, votojnë për qytetarin e parë të bashkisë së tyre. Ky është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm, veçanërisht rëndësia e tij bëhet shumë herë më e madhe, pasi në Shqipëri, vota e lirë ka një armik të egër të saj, një armik që përpunoi dhe zhvilloi të gjithë mekanizmat e plaçkitjes së saj, e grabitjes së saj, një armik që e përzuri përfundimisht votën nga partia e tij dhe shndërroi PS-në, e riktheu në origjinë, parti pa votë, parti e njëshit, parti e mafias, parti potencialisht e terrorizmit e të gjithë negativitetet që mund të ketë një komunitet që vepron si klub mafioz, si shpellë mafioze dhe jo si komunitet i një bashkësie të lirë. Edi Rama është i vetmi në Europë që ka përjashtuar votën e lirë nga partia e tij. Në këtë kontekst, ky zhvillim është një rreze e fuqishme shprese për rivendosjen e saj në Shqipëri.

Demokratët, duke votuar sot të lirë, duke zgjedhur përfaqësuesit e tyre për qytetar të parë të bashkive të tyre, shumëfishojnë forcat, shumëfishojnë energjitë për t’u përballur me kalbësirën që kanë përpara dhe që quhet regjimi i Edi Ramës, për të përmbysur monizmin që sundon në Shqipëri dhe bazohet në drogën, krimin, vjedhjen e votës. Ky moment, ky zhvillim pas krijimit të pluralizmit politik në Shqipëri, shënon aktin më madhor në historinë e PD-së, pranimin e pluralitetit në gjirin e kësaj partie, shënon hapjen më të madhe në tërësi historinë e një force politike shqiptare.

Ndërsa 7 kandidatë u tërhoqën në bashkitë Tropojë, Lushnjë, Belsh, Devoll, Gramsh e Krujë, Berisha siguroi:

Sot konkurrojnë mbi 200 e ca kandidatë në 60 bashki të vendit. Ju garantoj një gjë, kryesia e PD-së dhe kryetari i saj, në mënyrë absolute e kategorike nuk kanë ndikuar te asnjë kandidat që ka paraqitur kërkesën që ai të tërhiqet nga gara.

Kjo është absolute. Ka një garë që nuk po zhvillohet, por do zhvillohet në të ardhmen. Por ajo nuk e errëson madhështinë e këtij procesi. Janë tre degë të tjera, përveç Malësisë së Madhe, që janë në diskutim për koalicion me aleatët. Ky është realiteti. Në Malësinë e Madhe kishte kandidatë, por kishte disa probleme për të cilat u shty gara.

Tërheqje e dy kandidatëve raportohet edhe në Kuçovë.