Bota

SHBA, 1 në 9 lloje pemësh nën rrezikun e zhdukjes!

Një raport i fundit paralajmëron se të paktën 1 në 9 lloje pemësh në Shtetet e Bashkuara, janë nën rrezikun e zhdukjes. Pemët përballen me një sërë kërcënimesh si parazitët, sëmundjet shfarosëse dhe ndryshimet klimatike. Ka shkuar deri në atë pikë, sa pemët injektohen për t’u shpëtuar. Masat përfshijnë shpim dhe pesticide.

Pema frashëri është një nga rreth 100 llojet e pemëve në Shtetet e Bashkuara nën rrezikun e zhdukjes. Shanset që të shpëtohen janë të pakta. Për këtë arsye specialistët dhe shkencëtarët po përpiqen të ruajnë ato që kanë ngelur. Dy prej tyre janë udhërrëfyesit e ekipit të rrjetit PBS. Ron Hughes është menaxher toke ndërsa Johhny Townsend është botanist.

Townsend thotë se:

Më shumë pemë frashëri të pyllit janë të dëmtuara se sa të shëndetshme. Gjysma e pemëve janë zhdukur. Jo shumë kohë më parë, qielli ishte vështirë të shihej, për shkak të pyllit të dendur, që tani është zhveshur. Pyje me frashër, janë vënë në rrezik nga një lloj brumbulli me ngjyrë jeshile. Kjo e ka shkatërruar pyllin gjatë gjashtë, apo shtatë viteve të fundit dhe në shumë nga pjesët e prekura, pemët janë tharë, ose rrëzuar, ose qëndrojnë në këmbë si skelete. Larva futet brenda nën lëvore dhe formon këto që ne i quajmë galeri, në formë të shkronjës U, duke gërryer shtresën ushqyese dhe duke e tharë pemën.

Pema e frashërit nuk është e vetmja e rrezikuar. Studimi zbuloi se 11 deri në 16% e pemëve vendase janë nën rrezikun e zhdukjes. Murphy Westwood, shkencëtare në parkun “Morton Arboretum” në Çikago kaloi pesë vitet e fundit duke punuar në këtë studim, i pari i këtij lloji.

Para se të dilte ky raport, ne nuk kishim një pasqyrë të qartë të pemëve nën rrezikun e zhdukjes. Imagjinoni një pyll pa pemë. Pemët përmirësojnë cilësinë e ajrit, thithin ujin pas stuhive, thithin karbonin, pra janë një armë e fortë natyrale për krizën e ndryshimeve klimatike me të cilën po përballemi.

Shumë lloje të pemëve të identifikuara si më të rrezikuarat ndodhen në jug të SHBA, në Florida, Xhorxhia, Alabama, Teksas dhe në perëndim në Kaliforni. Në mesin e pemëve nën rrezik janë murrizi, lisi dhe pishat. Për pemë si ajo e frashërit, paraqesin kërcënim jo vetëm inseketet, por edhe ndryshimet klimatike. Dëmtimi i një peme që është një pjesë integrale e pyllit, dëmton gjithë sistemin, duke shkaktuar ndryshime të vogla klimatike që ndodhin pas zhveshjes së pyjeve.