Celebrities Magazine Showbiz

Shfaqja e mirënjohur ‘Hamilton’ do të kthehet në Puerto Rico, zbuloni arsyen përse…

Krijuesi i “Hamilton” Lin-Manuel Miranda do të sjellë muzikalin e tij të vlerësuar me çmime përsëri në Puerto Rico për dy javë shfaqje në qershor, duke përfshirë një mbledhje fondesh për Federatën Hispanike dhe jofitimprurëse të arsimit, Fondacionin Flamboyan. Angazhimi i kthimit është mënyra e Mirandës për të treguar atë që filantropia ka arritur në rindërtimin e Puerto Rico pas uraganit Maria në 2017, si dhe atë që mbetet për t’u bërë. Miranda në një deklaratë për “Associated Press” u shpreh:

Jam shumë krenar për punën që Federata Hispanike dhe Fondi i Arteve Flamboyan kanë bërë për komunitetin portorikan përmes mbështetjes dhe financimit të përpjekjeve bazë. Duke ofruar mbështetje për aktivistët, artistët dhe grupet e komunitetit në terren, ata kanë ndryshuar ekosistemin për artet dhe sektorin jofitimprurës.

Si pjesë e mbledhjes së fondeve të 16 qershorit, Miranda do të ribashkohet me anëtarët e kastit origjinal të “Hamilton” në Broadway, Renee Elise Goldsberry, Christopher Jackson dhe Leslie Odom Jr., për paraqitjen e tyre të parë publike së bashku që nga viti 2017. Ndonëse nuk do të performojnë në spektakël, kuarteti i yjeve të “Hamilton” do të shikojë kastin e ri dhe do të shoqërohet me të ftuarit në pritjet para dhe pas shfaqjes. Biletat për mbledhjen e fondeve dalin në shitje të hënën përmes Federatës Hispanike.

Organizatorët shpresojnë të mbledhin të paktën 2 milionë dollarë për të mbështetur punën në Porto Riko, nëpërmjet mbledhjes së fondeve dhe donacioneve të tjera, për Federatën Hispanike dhe Fondin e Arteve Flamboyan, i cili është një partneritet midis Fondacionit Flamboyan, Miranda, familjes së tij dhe “Hamilton”. CEO i Federatës Hispanike Frankie Miranda tha se mbledhja e fondeve “Hamilton” ofron një mundësi tjetër për organizatat jofitimprurëse që punojnë në Porto Riko për të treguar pse donatorët ende duhet të mbështesin përpjekjet e rindërtimit të ishullit.

Investimi në Porto Riko është një premisë shprese dhe përparimi. Shumë po realizohet. Por më pas vëmendja largohet ose kthehet vetëm kur ka një fatkeqësi tjetër natyrore.