Celebrities Gossip Showbiz

Shitet në ankand për këtë çmim fanella e të ndjerit Kobe Bryant!

Fanella e të ndjerit Kobe Bryant me ekipin e Los Angeles e veshur në sezonin 2007-2008, është shitur në ankand nga “Sotheby’s” për shifrën e 5,849,700 dollarë, pak më pak se 5,5 milionë euro. Kjo është shuma e dytë më e lartë e paguar ndonjëherë për fanellën e një basketbollisti. Rekordi absolut i takon Michael Jordan në ndeshjen e parë të finaleve të NBA-së të vitit 1998, të shitur në ankand shtatorin e kaluar për 10 milionë dollarë.

Në klasifikimin absolut, mes Jordan dhe Bryant, shkëlqen legjenda Maradona. Fanella e tij e veshur në finalen e Kupës së Botës 1986 për ndeshjen kundër Anglisë, dita ku Maradona shënoi golin me dorë, majin e kaluar është shitur për 9,28 milionë dollarë. Rikujtojmë, se Vanessa Bryant kohët e fundit fitoi një padi kundër departamenteve të Sherifit dhe Zjarrfikësve të Los Anxhelosit për fotografitë e bëra nga zyrtarët në të cilat tregoheshin në mënyrë eksplicite eshtrat e bashkëshortit dhe vajzës së saj të ndjerë.

Fotot thuhet se u kaluan dhe u shfaqën mes disa zyrtarëve në të dy departamentet. Ajo u dëmshpërblye me 16 milionë dollarë si pjesë e një vendimi të gjykatës kundër qarkut të Los Anxhelosit, pas shpërndarjes së fotove të tmerrshme.

Legjenda e ekipit të basketbollit “Los Angeles Lakers” dhe vajza e tij, Gianna, u përkujtuan me një statujë prej bronzi të vendosur në vendin e rrëzimit të helikopterit, me rastin e 2-vjetorit të aksidentit. Ikona e basketbollit humbi jetën më 26 janar të vitit 2020 në një aksident ajror me helikopterin e tij privat në Calabasas, një qytet që është 70 km larg Los Angelesit.