Shtimi i dëbimeve nga Anglia me vendim të autoriteteve britanike ka prodhuar shumëfishimin e rasteve kur azilkërkuesit shqiptarë të mbërritur me gomone apo kamionë, të paktën njëherë kanë thyer lirinë me kusht, të dhënë nga gjykatat e emigracionit ndërsa ata janë në pritje të shqyrtimit të azilit.
Për Top Channel, Home Office, Ministria britanike e Punëve të Brendshme tregoi sa ishte numri shqiptarëve që thyen lirinë me kusht gjatë 15 muajve të fundit. Eshtë fjala për rreth 13 mijë bashkëkombas në periudhën 1 Janar 2022-1 Prill 2023. Në total janë afro 45 mijë azilantë, po për këtë periudhë.
Për periudhën nga 1 Janari 2022 deri më 1 Prill 2023, 44 mijë e 957 ishte numri total i azilantëve nga të gjitha kombësitë, të cilët thyen lirinë me kusht. Po për të njëjtën periudhë kohore, shqiptarët të cilët nuk iu përmbajtën lirisë me kusht, e njohur si “immigration bail” ishte 12 mijë e 842.
Eshtë me rëndësi që të theksojmë se ata persona që kanë thyer lirinë me kusht njëherë mund të jenë paraqitur javën pasardhëse. Ne ndërmarrim hapa të mëtejshëm nëse personi nuk zbaton kriteret e lirisë me kusht. Ato janë shtimi i masave të lirisë me kusht, vizitë në banesë, ndalimi, si dhe marrja e garancisë financiare.
Thyerjen e lirisë me kusht nga 12 mijë e 842 shqiptarë, avokatë të çështjeve të emigracionit në Londër të pyetur nga Top Channel e shpjegojnë si të lidhur me frikën e riatdhesimit duke pranuar që të qëndrojnë në të zezë.
Janë të shumta videot e postuara në TikTok e ku shqiptarë në Angli presin me gërshërë pajisjen e monitorimit e cila vendoset në kyçin e këmbës, e njohur ndryshe si “Roleksi Shqiptar”.
Ky lloj monitori është një prej disa formave të lirive me kusht dhënë nga gjykatat e emigracionit për azil-kërkuesit. E gjitha kjo bëhet për t’i shpëtuar dëbimeve të përjavshme nga Anglia drejt Shqipërisë, me avionë të posaçëm charter./Top Channel