Bota Tech

Shtëpia e Bardhë jep një muaj kohë për heqjen e Tik Tok-ut nga agjencitë qeveritare!

Agjencive federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shtëpia e Bardhë u dha 30 ditë afat për të hequr TikTok-un nga të gjitha pajisjet qeveritare. Në këtë mënyrë, Uashingtoni po vendos të respektojë vendimin e Kongresit Amerikan, i cili në dhjetor të vitit të kaluar votoi për të ndaluar  punonjësit federalë që të përdornin aplikacionin kinez në pajisjet “në pronësi” të qeverisë. Kjo për shkak të frikës në rritje se mund të përdoret për qëllime spiunazhi nga Kina, vendi aziatik me të cilin Amerika ka tensione të vazhdueshme.

Chris DeRusha, shefi federal i Sigurisë së Informacionit në SHBA, deklaroi:

Administrata amerikane Biden-Harris ka investuar shumë në mbrojtjen e infrastrukturës dixhitale të vendit tonë dhe kufizimin e aksesit të kundërshtarëve të huaj në të dhënat e amerikanëve.

Zyrtari foli në lidhje me përpjekjet e vazhdueshme të administratës së Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur infrastrukturën dixhitale dhe për të mbrojtur sigurinë, krahas privatësisë së popullit amerikan. Po ashtu, kujtojmë se edhe në Kanada, TikTok-u u ndalua nga pajisjet elektronike të qeverisë kanadeze.

Një masë e ngjashme u mor nga Kanadaja, vendi që një ditë më parë njoftoi ndalimin e TikTok-ut nga pajisjet elektronike të qeverisë. Sipas autoriteteve të këtij shteti, aplikacioni për ndarjen e videove të shkurtra paraqet një nivel “të papranueshëm” rreziku për privatësinë dhe sigurinë e përdoruesve e të qeverisë kanadeze.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau tha se “qeveria po punon për t’i mbajtur kanadezët, të sigurt në internet”. Trudeau u shpreh:

Ky mund të jetë vetëm një hap i parë ose mund të jetë i vetmi hap i nevojshëm.

Shefi i qeverisë nënvizoi edhe pjesën si heqja e aplikacionit Tik Tok nga pajisjet elektronike të punës do të nxisë shumë kanadezë, kompani e individë, që të reflektojnë mbi sigurinë e të dhënave të tyre dhe ndoshta për të bërë zgjedhjet e duhura.