Celebrities Live From Tirana Music Showbiz

Si erdhi kënga e re “Të dua ty” nga Mariza Ikonomi?! Këngëtarja zbulon gjithçka ekskluzivisht në TAR!

Sot e ftuar në “Live From Tirana” ka qenë një nga këngëtaret më të njohura, Mariza Ikonomi. Ajo ka folur në lidhje me projektin e saj më të ri këngën “Të dua ty” dhe është ndalur gjithashtu edhe tek dashuria dhe partneri i saj i ri. Duhet thënë se “Të dua ty” është rikthim i fuqishëm pas shumë baladave.

Vendosa që nuk do të bëja më balada. Për  këngën “Të dua ty” ka qenë një festival që më frymëzoi në fakt “Zambaku i Prizrenit”. Ajo këngë u mendua për atë festival. Pastaj këngën e kemi shkruar bashkë me Endri Shanin. Tekstin e kam bërë vetë dhe u frymëzova nga dashuria siç edhe e kam thënë. Dola në festival dhe mendoja që nuk dua ta lë vetëm me kaq. Unë jam pak kokëkrisur për të tilla gjëra sepse nuk ka asgjë që mund të më kthejë pas kur vendos për diçka dhe prandaj vendosa që do ta bëja këtë këngë sepse kisha besim. Sidomos kur e dëgjoja me të afërmit e mi dhe me të dashurin tim, e këndonim shumë lehtë dhe prandaj mendova që ta bëj klipin dhe ta lançoj. 

Mariza ka shtuar gjithashtu se:

Kur e mendon dashuria nuk është vetëm ajo mes dy personave por është diçka më e thellë, është një dashuri universale. Dashuria për qytetin, për njëri-tjetrin, për këngën, për lulet. Ky klip ka dalë ndryshe sepse unë doja që të ishte ndryshe.

Ka një domethënie dhe simbolikë Tirana në klip?

Unë jo më kot e kam zgjedhur Tiranën. Unë jam e frymëzuar nga qyteti. Tirana për mua është shumë e shtrenjtë. Vendet dhe rrugicat kanë një domethënie të veçantë shumë. Më ka frymëzuar gjithmonë. E doja edhe Tiranën aty. Gjithçka ka lidhje me mua. E kam realizuar ashtu siç unë e doja. E shikon sa shumë të frymëzon dashuria.

Çfarë do të kemi së shpejti?

Po përgatitem për Këngën Magjike. Kjo është kënga e radhës që është pritur jashtëzakonisht shumë mirë deri tani. Na mbetet të presim.