E ftuar sot në “Pardon My French” nëpërmjet një lidhje në Skype ka qenë artistja e njohur, Bleona Qereti. Ajo ka zbuluar më shumë detaje ekskluzive në Top Albania Radio nga projektet e reja në muzikë që ka sjellë dhe do të sjellë, angazhimit të saj në botën e kinematografisë dhe qëllimet që i ka vendosur vetes sa i përket jetës personale.
Para pak ditësh Bleona ka risjellë me origjinalitetin e saj një nga hitet që shqiptarët e duan shumë, e kemi fjalën për “Stani”-n e Tefta Tashko Koços. E pyetur nga Lei Kraja në lidhje me idenë e videoklipit Bleona shpjegoi gjithçka:
Ideja si gjithmonë është e imja dhe sigurisht që do t’i gjej edhe njerëzit e duhur të skuadrës të cilët janë në të njëjtën valë truri me mua. Është një këngë që flet për burrin nga stani, një çift të sapomartuar. Një këngë që është sjellë në shumë verisone nga shumë artistë për të cilët kam shumë respekt në Shqipëri.
Duhet të sillja patjetër diçka ndryshe në versionin e Bleonës. Mendova që Amazona ishte mënyra më e mirë për ta sjellë këtë këngë sepse Amazonat vetëfunksionojnë pa meshkujt. Doja të sillja ndryshimin midis femrës që ka nevojë për burrin dhe një gruaje të kohëve moderne e cila nuk ka nevojë më për një mashkull. Unë besoj tek femra shqiptare që i ka bërë gjërat vetë dhe jam shumë krenare pa marrë parasysh që është me shumë sakrificë. Mendoj që kjo është mënyra më e saktë për të sjellë “Stani”-n dhe Amazona të ishte pikërisht personifikimi i kësaj historie.
Më pas artistja vijoi duke thënë se:
Video fillon me një vajzë që ka një bukuri mistike por ka një magji të vetën brenda saj dhe në momentin që ajo hy në një shtëpi me një tigër shikon një djalë i cili po vjen me motor edhe i bën magji dhe i prishet motori. Djalit që i prishet motori vjen i ‘mistikuar’ nga bukuria e këtij personi, vjen për të kërkuar veglat e motorit por në të njëjtën kohë edhe për të kërkuar më shumë se çfarë është ky person. Aty gjen Bleonën, e cila është duke ushqyer tigrin e parë me mish.