@ the movies Film & Tv

“Snob” seriali më i ri që do të transmetohet në Top Channel, Dalina Buzi zbulon gjithçka!

Të gjithëve na ka rastisur që të dëgjojmë për serialin shqiptar më të ri të titulluar “Snob” kohët e fundit. Megjithatë pak dihet rreth tij duke e shtuar akoma dhe më shumë misterin rreth tij. Por tani pritjes i erdhi fundi…

Dita e sotme shënoi dhe fillimin e sezonit të ri të emisionit “At The Movies” në Top Albania Radio. Një lajm i mirë ky për gjithë të apasionuarit pas filmave për të mësuar filmat më të rinj në kinema dhe informacionet më të fundit. E ftuara e parë e këtij sezoni ishte Dalina Buzi, krijuesja, skenaristja dhe bashkëproducentja e “Snob”, i cili do të transmetohet në Top Channel. Dalina zbulon më shumë eksluzivisht për Top Albania Radio të gjitha pikëpyetjet që kemi për këtë serial kaq të përfolur kohët e fundit.

“Snob është një histori e ditëve të sotme, është një përplasje nivelesh, klasash, por gjithmonë duke ju referuar Shqipërisë. Në qendër janë të rinj rreth të 20-ave, të prindërve të pasur dhe të varfër, të Shqipërisë së sotme. Janë të lindur të viteve 2000, të cilët nuk kanë parë shumë gjëra që kanë ndodhur më parë dhe nuk kanë jetuar as me ndërrimin e sistemeve e as me ’97-ën. Pra nëse ai ka lindur i pasur, ka lindur direkt me pasuri dhe ka pasur privilegjin që nuk e kanë pasur fëmijë të lindur më përpara. Ndërsa ai që ka lindur i varfër ka gjetur mënyra më popullore për të gjetur lekë. Pra, është rinia e sotme.

E pyetur se sa “Snob” pasqyron realitetin e sotëm shqiptar, Dalina pohon se të gjithë adoleshentët shqiptarë mund të gjejnë veten aty.

Ky film për mua, si nënë, është 16+, për të gjitha gjërat që janë aty. Por quhet ‘teen drama’ sepse kjo gjini i përfshin dhe 20 vjeçarët. Këta janë 20 vjeçarët që kanë mbaruar shkollën ose janë në përfundim të studimeve universitare dhe është ajo mosha që nuk preket shpesh në filma, më shumë preket adoleshenca. Është një moshë që ende nuk e dinë kush janë dhe nuk e gjejnë veten, janë ende midis të qenurit adoleshentë dhe fëmijë. Është një moshë shumë interesante, sidomos në Shqipëri ku ne nuk shkëputemi dot nga familja jonë kollaj. 

Sipas Dalinës, ngjarja është shumë ndërkombëtare, por referenca është gjithmonë Shqipëria. Ajo shprehet se është munduar që e gjitha të ketë një natyralitet dhe të jetë sa më reale. Por si lindi ideja e “Snob”?

Të jem e sinqertë, ky serial nuk ishte në planet e mia. Në planet e mia ishte një komedi, por pastaj ndodhi një incident me “Hostel”-in dhe unë duhet të justifikoja dy episodet e fundit me sponsorat, isha bosh. Po ta tregoj historinë është shumë e çuditshme dhe e pabesueshme. Unë kisha dy javë kohë për të takuar gjithë sponsorat dhe t’u thoja që “Hostel”-i u mbyll para kohe. Direkt hapa audicionet dhe ende nuk e dija se për çfarë. Në takim me sponsorin gjeneral, dikush tha që është një serial “Elite”. Të premten ndodhi shkëputja nga “Hostel” dhe të hënën unë kisha personazhet gati. Në 11 Maj u pikturuan personazhet dhe në 23 Maj ne kishim të gjithë aktorët dhe filluan të lexonin skenarin. Deri në qershor unë kam ndërruar dy herë skenarin e episodeve pilot sepse ende nuk e dija se çfarë po bëja.

E pyetur nëse pandemia pati ndikim në progresin e këtij seriali, Dalina Buzi u përgjigj se pandemia ka qenë si një bekim për të. Ajo ka shprehur se pëlqen të mbyllet në zyrë dhe të shkruajë.