Aktualitet Politikë

Sot primaret e PD-së, votohen kandidatët për vendoret e 14 majit 2023!

Sot Partia Demokratike zhvillon votimet për primaret nga ku do të dalin kandidatët për zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit të ardhshëm. Siç dihet, gara për pjesëmarrësit u hap rreth një muaj më parë. Votuesit që do të zgjedhin kandidatët e 14 majit janë anëtarët dhe simpatizantët e PD-së e që pajisen me kartë të posaçme për të votuar sot.

Procesi i votimit që filloi në orën 08:00, përfundon pasdite më 18:00. Mbi 200 emra kanë dorëzuar platformën për të kandiduar në primare. Fushata e muajit të kaluar nisi në datë 13 dhe përfundoi më 27 nëntor.

Para qytetarëve të bashkisë për të cilën kandidojnë në primare, kandidatët prezantuan platformat përkatëse. Gara më e fortë mbetet ajo e Tiranës, ku përballë njëri-tjetrit garojnë shtatë emra. Kandidatët janë Belind Këlliçi, Gerti Bogdani, Ilir Alimehmeti, Adriana Kalaja, Enkelejda Fejzo, Fatmir Merkoçi e Julian Deda. Kujtojmë se për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, më 27 tetor u nënshkrua marrëveshja Berisha-Meta. Në të thuhej:

Ne, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, firmosim marrëveshjen që vijon, pas konstatimit se Shqipëria është në momente kritike:

I. për shkak të korrupsionit shkatërrimtar;

II. të asgjësimit të pluralizmit politik në nivel vendor;

III. të shpopullimit masiv dhe tragjik;

IV. të krizës ekonomike, që po çon në kolaps vendin;

V. të qeverisjes së kapur peng nga trafiqet, paraja e pisët dhe korrupsioni.
Në këto kushte, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia e Lirisë, dakordësohen që t’i ofrojnë Shqipërisë një alternativë fituese në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, që përfaqëson vetëm interesat e qytetarëve dhe interesin më të lartë publik.

Vendosin:

1.Konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

2.Referendumi, si forma e shprehjes direkte të vullnetit të qytetarëve, për çdo çështje që i shqetëson, në nivel qendror apo lokal, do të jetë angazhim madhor dhe i patjetërsueshëm, për të cilin PDSH dhe PL do të ndërmarrin të gjitha nismat ligjore dhe aksionet publike të nevojshme për realizimin e kësaj të drejte kushtetuese të mohuar prej 25 vjetësh.

3.Këshillat Bashkiake, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.

4.Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiake dhe të Bashkive që lidhen me to, përfshirë organizimin e seancave të hapura publike, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.

5.Të angazhohen, me prioritet të veçantë, për realizimin e vazhdueshëm të seancave publike të hapura të Këshillave Bashkiake, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, ku qytetarët të dëgjohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në seancat plenare.

6.Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve dhe gjelbërimit të qyteteve.