Aktualitet

Spektakli italian në zi, ndërron jetë Rossano Rubicondi, ish-bashkëshorti i Ivana Trump!

Shuhet në moshën 49-vjeçare, Rossano Rubicondi. I lindur në kryeqytetin italian, Romë, Rubicondi ishte personazh televiziv, aktor e model, i njohur si burri i katërt i miliarderes amerikane Ivana Trump, ish-gruaja e Donald Trump-it, ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Lajmin e ndarjes së tij nga jeta e dha prezantuesja italiane, Simona Ventura, e cila i kushtoi edhe një postim në rrjetet sociale:

Rossano… Faleminderit për rrugëtimin e përbashkët, për zënkat, zemërimin, si dhe sqarimet e të qeshurat e shumta që kemi bërë bashkë! U prehsh në paqe!

Mësohet se prej një viti, Rubicondi ishte diagnostikuar me një sëmundje të rëndë e të pashërueshme. Në 2008-ën, vitin e martesës me Ivana Trump-in, u përzgjodh si konkurrent te “L’isola dei Famosi”, të drejtuar pikërisht nga Simona Ventura dhe ku bëri të flitej gjerësisht për flirtimin e supozuar me modelen argjentinase Belen Rodriguez, në atë kohë jo shumë e njohur në Itali.

Për Rossanon, pjesëmarrja në atë “reality”, shënoi fillimin e karrierës në televizion e kinema, me përfshirjen në filmin “Natale a Beverly Hills”. Po ashtu ka marrë pjesë në disa programe televizive në vendin fqinj, si dhe për një natë, me Ivanën ishte balerin në spektaklin “Ballando con le stelle”, në vitin 2018. Ata u ndanë në 2009-ën, por mbetën deri në fund miq.

 

Sa i përket karrierës, Rubicondo u rikthye në 2010-ën te “Isola dei Famosi”, fillimisht si i dërguar e përsëri si konkurrent.