Celebrities Film & Tv Showbiz

“Succession”, si “Game of Thrones” minus dragonjtë. Absolutisht seriali më i mirë sot për sot. Kritikë.

Brenda një kohe të shkurtër përpjekja e rradhës e HBO për të ngjizur një kryevepër rezultoi [sërish] e suksesshme. “Succesion” qysh në sezonin e parë të ngel në mendje për çdo gjë, nga muzika e siglës së fillimit (Nicholas Britell), tek loja fantastike e çdo pjestari të familjes Logan (që shumë kritikë e kanë barazuar me atë Murdoch) e udhëhequr nga Brian Cox, e xhiruar me një kamera dore që të shton ankthin si një lloj dridhje e lehtë tërmeti para goditjes së fortë, dhe me një skenar që do e kishte zili çdo skenarist ose krijues në TV. Jesse Armstrong duhet të jetë shumë krenar.

Duke parë sezonin e dytë të “Succession”, një nga sezonet më tërheqës në televizion së fundmi, ishte si të zhyteshe në një oqean tensionesh dhe të gjitha format e manifestimit të tij në ekran, i mbushur me konflikte njerëzore me gjuhë të mprehtë, të ngjashme me dokumentarët e kafshëve në Explorer Natyra, por pa dhunë fizike. Dhembja është e ngjashme në mos më keq. Edhe pse detajet mund të harrohen, është e vështirë të harrosh ndjesinë që ke kur sheh këtë serial. Një bisedë katër-minutëshe në episodin e gjashtë, ‘Argestes’, mes Shiv, një prej pinjollëve të familjes Roy (interpretuar nga Sarah Snook) dhe ndërmjetëses Rhea Jarrell (Holly Honter) ishte e rastësishme, e largët me konfliktin ama armiqësia e dy femrave ndaj njëra tjetrës sintetizonte pafundësisht atë që është “Succesion”. Përpara faktit që ‘mbreti’ i tribusë po vdes të gjithë duan të kapin fronin, pa kursyer askënd dhe asgjë. Njësoj si tek ‘Game of Thrones’, por pa shpata. Ngjarjet zhvillohen në shekullin e 21 por klima, brutaliteti, gjëndja, dhuna psikologjike janë ato të Greqisë së lashtë.

Sezoni i 3 i “Succession”, siç ndodhi me shumë seriale të këtyre 2 viteve të fundit pati një shpullë nga pandemia që bëri t’i humbte pak nga grinta e sezonit paraardhës. Presioni i vazhdueshëm me të cilit Roy-t përballeshin e bëntë çdo episod të shumëpritur, problemet krijoheshin paralelisht me zgjidhjet e tyre, dhe përfundimi ishte vërtet ‘në buzë të greminës’. Ky sezon do duhet të kishte zgjidhje, dhe zgjidhjet ndodhin, vetëm se mbase jo ato që prisnim. Pandemia i bëri nëntë (ose thuajse të nënta, po heqim këtu ato të xhiruara në Toskanë) episodet më pak ambicionze. Ndryshe nga sezonet e mëparshme, të rejat kishin tendencën të zgjidheshin brenda atyre 60 minutave. Fëmijët e Logan Roy-t janë ende në garë për komandimin e perandorisë së trashëguar.

Problemi me sezonin e tretë nuk është përmbajtja e tij në vetvete sa është pritshmëria e lartë e shikuesit nga aty ku e la i dyti. Tensioni tashmë është disi i mefshët, si pa adrenalinën që e bën “Succesion” atë që është. Seria e parë hapet me Kendall (Jeremy Strong) dhe Greg (Nicholas Braun) në New York, menjëherë pasi kanë ekspozuar aferat dhe abuzimet e kompanisë Waystar Royco dhe babait të tyre, në një konferencë për mediat. Pjesa tjetër e familjes është duke gjetur menyra se si ti shpëtojnë kësaj tradhëtie në bordin e një yacht-i luksoz, siç u ka hije.

Zhvillimi i mëtutjeshëm i historisë e riçon Kendall-in në batakun e njeriut që është më i shqetësuar për reputacionin e tij sesa rëndesën e aktit të tij prej whistle-blower-i. Personazhi që zhvillohet më shumë në këtë sezon dhe nga i cili presim më shumë në tjetrin është Shiv, e cila shpërfaqet me të gjithë fuqinë e saj për të qënë ajo trashëgimtarja. Ndërsa për Roman (Keiran Culkin), edhe pse duket sikur është i preferuari i të atit, vesi i tij dhe naiviteti do e bëjnë të mos përfundojë mirë.

Qëllimi i Jesse Armstrong për show-un është tregimi se si njerëzorja kërruset nga pushteti dhe se familja shtrëmbërohet nga të paturit. Episodi i quajtur ‘What it Takes’ i sheh Roy-t të mbledhur në një konferencë për të vendosur fatin e kompanisë por paralelisht zbulon se sa e vështirë është bërë ta të lidhen me njëri tjetrin si qënie njerëzore. Kunundrumi është pyetja nëse personazhet e një seriali duhet të jenë të pëlqyeshëm që ai të quhet i suksesshëm…

Sidoqoftë, drejt fundit sezoni i tretë bëhet vërtet një centrifugë emocionesh për njerëz me trauma fëmijërie dhe mungese të theksuar empatie si pasojë. Konfliktet e vazhdueshme nuk janë vetëm me njëri tjetrin por edhe me veten. Gjejmë një Kendall i cili kanalizon anën e tij të lënduar në props-e Jezusi i Kryqëzuar si për të justifikuar tradhëtinë e tij familjare për t’u dukur si hero, në festën e ditëlindjes së tij të dyzetë. Ky është sezoni ku personazhet mbështetëse kthehen në ato për të cilat provon më shumë empati si shikues. Gjejmë një Greg të abuzuar vazhdimisht nga të dyja palët dhe një Tom, bashkëshorti i Shiv (Matthew Macfadyen), i cili fiksohet me faktin që do të shkojë në burg për të shpëtuar familjen, për t’u kthyer rrugës në Judë… një zhvillim karakteri që pak prej nesh e parashikonin. Ndërkaq gruaja enimgatike e Logan, Marcia (Hiam Abbass) shërben si element enigmatik për atë pritet të ndodhë në të ardhmen, po aq sa e dashura e tij e re (njëkohësisht edhe asistentja më e besuar). E dashura e Connor, Willa (Justine Lipe) shërben si një shfryrje komike e tensionit që rritet e rritet. Sigurisht ka shumë shanse të humbura, që mbase prej dinamikave të rrëmbyera i kanë kthyer disa personazhe potencialisht të forta, në fasada të kota marketingu. Kështu ndodh me të dashurën e re të Kendall, Naomi (Annabelle Dexter – Jones) e cila nga një power-couple e sezonit të dytë, tashmë është thjesht një numër, po aq sa dy aktorët e njohur dhe personazhet që luajnë – Adrien Brody dhe Alexander Skarsgård.

HBO konfirmoi në Tetor të këtij viti se do të ketë një sezon të katërt të “Succession”. Shkrimtarët do të fillojnë punën në Janar të vitit të ardhshëm dhe parashikohet që seritë e reja të dalin në fund të 2022.

“Succession” provoi për të tretin sezon rradhazi që është absolutisht më i miri në televizion në vitet e fundit, me një etje të garantuar për të parë të rradhës, për të cilin urojmë vetëm të jetë po kaq i mirë sa tre të parët, sepse është e pamundur të bëhet më mirë se aq, apo mundet?…