Bota

Sulmet me raketa në Kiev e Kharkiv, Rusia përdori armën e ndaluar që “avullon” trupat njerëzore

Rusia përdori një armë të ndaluar termobarike gjatë luftimeve në Ukrainë këtë të hënë. Kështu është shprehur ambasadorja ukrainase në SHBA para ligjvënësve amerikanë në një konferencë për mediat.

“Ata përdorën bombën me vakum, e cila në fakt është e ndaluar nga konventa e Gjenevës,” u tha Oksana Markarova gazetarëve pasi doli nga konferenca e kongresit.


Pavarësisht deklaratës së ambasadores, BBC shkruan se një pretendim i tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht. Armët termobarike nuk përdorin municionin e zakonshem.

Ato janë të mbushura me një eksploziv me presion të lartë dhe thithin oksigjen nga mjedisi përreth për të gjeneruar një shpërthim jashtëzakonisht të fuqishëm dhe valë presioni.

Ato janë përdorur edhe më parë në republikën ruse të Çeçenisë, sipas Human Rights Watch. Të shtunën, CNN raportoi se kishte parë një raketë termobarike pranë qytetit rus të Belgorod.

“TOS-1”, arma e frikshme ruse që “avullon” trupat e njerëzve

Raketat termobarike janë të gjendje të shpërbëjnë trupin e njeriut, të shtypin organet si dhe të thithin të gjithë oksigjenin në zonën ku godasin dhe më pas shpërthejnë.

Ky sistem është shumë efektiv ndaj trupave të vendosura në llogore dhe në goditjen e pozicioneve të fortifikuara dhe bunkerëve.

E montuar në shasinë e një tanku T-72 dhe e pajisur me 24 raketa termobarike, TOS-1 mund t’i lëshojë ato brenda 12 sekondave. Arma mund të jetë e pajisur me dy lloj raketash, zjarrvënëse si dhe me vakum të ashtuquajtura termobarike.

TOS-1 për herë të parë është përdorur nga trupat sovjetikë në luftën e Afganistanit dhe më pas në Çeçeni dhe në luftën civile në Siri. Së fundmi ajo u pa edhe në manovrat ushtarake të zhvilluara mes Bjellorusisë dhe Rusisë.

Shumë organizata për të drejtat e njeriut e kanë kundërshtuar përdorimin e kësaj arme për shkak të efektivitetit të saj vdekjeprurës, ndërkohë edhe vendet aleate e kanë shprehur shqetësimin që në nisje të luftës, se mos Putin do të përdorte këtë armë.