Bota

Sulmi në Danimarkë nuk ishte akt terrori!

Policia në Danimarkë konfirmon se sulmuesi, që dje hapi zjarr në një qendër tregtare në Kopenhagen ka vepruar i vetëm, duke i përzgjedhur në mënyrë rastësore viktimat e tij. Inspektori i policisë, Soren Thomassen, tha sot se “hetuesit nuk besojnë se sulmi i djeshëm ishte i lidhur me terrorizmin”. Tre vetë u vranë, mes tyre dy danezë dhe një shtetas rus. Sa i përket të plagosurve, dy danezë dhe dy suedezë morën lëndime serioze. I dyshuari, një i ri i moshës 22-vjeç, gjithashtu njihet si person me probleme të shëndetit mendor.

I dyshuari ishte i njohur nga shërbimet psikiatrike dhe përtej kësaj, nuk dua të komentoj më shumë.

Në një deklaratë, kryeministrja daneze, Mette Frediksen, theksoi:

Danimarka u godit nga një sulm mizor të dielën në mbrëmje. Disa u vranë. Ka edhe të plagosur. Familje të pafajshme që kishin dalë për pazar apo për të ngrënë jashtë. Fëmijë, adoleshentë e të rritur… Dua të inkurajoj danezët që të qëndrojnë së bashku në këtë kohë të vështirë.

Policia në Kopenhagen tha se të dielën pasdite, zyrtarët policorë shkuan në qendrën tregtare Field pas raportimeve për të shtëna me armë. Në pamjet e publikuara nga mediat lokale u panë grupe njerëzish duke u larguar me vrap nga qendra tregtare.

Spitali kryesor i kryeqytetit danez, Rigshospitalet, njoftoi se ka pranuar “një grup të vogël pacientësh” për trajtim dhe se kërkoi staf shtesë.
Qendra tregtare ku ndodhën të shtënat gjendet rreth 5 kilometra në jug të qendrës së Kopenhagenit. Sulmi vjen pas të shtënave vdekjeprurëse javën e kaluar në Norvegjinë fqinje, ku në Oslo u vranë dy persona nga një person i armatosur, i cili të shtunën e 25 qershorit, shënjestroi edhe një bar gay.

Aktualisht vlerësohet si “serioz”, kërcënimi terrorist ndaj Danimarkës dhe ai më kryesor vjen nga “militantët islamikë”. Kjo thuhet në raportin më të fundit të shërbimit danez për sigurinë dhe inteligjencën. Ndërkaq, kërcënimi nga ekstremistët e krahut të djathtë cilësohet në nivel “të përgjithshëm”.

Në vitin 2015, Danimarka u përball me një sulm militant, nga i cili u vranë dy persona dhe u plagosën gjashtë policë, pasi një agresor qëlloi me armë zjarri jashtë një qendre kulturore ku po mbahej një debat për lirinë e shprehjes. Ai humbi jetën në shkëmbimin e zjarrit me policinë.