Aktualitet Rajoni

Tensionet në Kosovë, lirohen pikat kufitare në veri të vendit, kërkohet takim Kurti-Vuçiç!

Në veri të Kosovës serbët kanë liruar pikat kufitare.  Është larguar edhe kamioni që ndodhej mbi urën afër pikëkalimit kufitar në Bërnjak, i vendosur nga serbët për ta bllokuar atë pjesë. Qarkullimi i veturave tashmë ka nisur mbi urë, ndonëse me vështirësi.

Në rrugë po qëndrojnë edhe njësitë e Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për rendin. Më herët u njoftua se të gjithë kamionët që ndodheshin në rrugën që çon për në pikëkalimin kufitar në Bërnjak janë larguar të hënën në mesditë.

Largimi i barrikadave nga këto dy pika nënkupton edhe pezullimin e vendimit për reciprocitet në dokumentet identifikuese dhe zëvendësimin e targave ilegale me ato të Republikës së Kosovës.

Shefi i Qeverisë, Albin Kurti njoftoi se vendimi do të pezullohet edhe në pikat e tjera kufitare në të cilat që nga mesnata po zbatohej.

Gjatë së hënës në veri të Kosovës janë vendosur edhe pankarta me mbishkrimin “Mirëserdhët në Asociacionin e Komunave Serbe” në kundërshtim të vendimit për reciprocitet.

Ndërkohë në zonë vijojnë te jene prezente forca të KFOR-it, të cilat thanë se janë të gatshme të ndërhyjnë në rast precipitimi të situatës.

Situata e tensionuar në veri të Kosovës, ka nxitur shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të kërkojë një takim në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano duke konfirmuar lajmin tha se Kurti dhe Vuçiç kanë marrë ftesë për vazhdimin e dialogut, ku do të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve.

“Çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që kërcënon stabilitetin dhe rrezikon lirinë e lëvizjes duhet të ndërpritet”, tha Stano duke iu referuar situatës aktuale në veri.

Deri më tani nuk ka konfirmim për pjesëmarrjen e udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë në këtë takim të thirrur nga Borrell.