Rajoni

Zbatimi i dy vendimeve për targat e dokumentet në Kosovë, Vuçiç thirrje serbëve të ruajnë qetësinë!

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, tha sot se “po u lutet për paqe përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës e bashkësisë ndërkombëtare”. Gjatë një konference në Beograd, u shpreh se “po përpiqet t’u kërkojë të gjithëve, përfshirë serbëve në Kosovë, të mos bëjnë gjëra që mund të çojnë në konflikt”.

Edhe nga përfaqësuesit e vendeve të fuqishme e të mëdha, që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, unë kërkoj të marrin parasysh ligjin ndërkombëtar e situatën në terren… Ne po bëjmë lutje për paqe dhe kërkojmë paqen. Nëse nisin të persekutojnë serbët, t’i keqtrajtojnë e t’i vrasin, Serbia do të fitojë. Kjo është gjithçka që dua të them.

Deklaratat e Vuçiçit vijnë një ditë, para se të hyjnë në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, lidhur me reciprocitetin e targave e të dokumenteve serbe. Në Bruksel, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Por, Vuçiç përsëriti pretendimin e Beogradit se “Neni 3 i akordit”, të cilit i referohen autoritetet në Kosovë në vendimin mbi dokumentin për hyrje-daljet, “nuk është i zbatueshëm për serbët që jetojnë në veri”.

Sipas këtij neni, secila palë mund të zbatojë një sistem ku letërnjoftimet do të shoqërohen me dokumente ku shkruhet “hyrje-dalje” për banorët e palës tjetër e që dëshirojnë të udhëtojnë tranzit në një vend të tretë. Kjo do të thotë se nuk mund të vlejë për serbët që jetojnë në Kosovë. Kështu do t’i binte të përfshihej parimi etnik.

Presidenti i Serbisë informoi se dje biseedoi me disa nga përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë.

Populli serb po i dëgjon gjithnjë e më pak lutjet tona e kërkesa ime edhe sot është që të përpiqemi të ruajmë paqen.

I pyetur se çfarë këshille iu dha serbëve në Kosovë, pas vendimeve të qeverisë atje, Vuçiç u shpreh se “i frikësohet reagimit të serbëve”, por nuk e bëri të qartë se për çfarë reagimi po fliste.

Këshilla ime është që të gjithë të jenë të qetë. Çfarëdo që ata [autoritetet në Kosovë] të bëjnë, le të ruajmë qetësinë tonë! Të mos u japim arsye shqiptarëve që të fillojnë të qëllojnë mbi turmën. Dhe të na japin kohë! Për popullin tonë në Kosovë, situata është shumë e ndërlikuar. E di që pas shumë dekadash, shumë njerëz as që duan të dëgjojnë për problemet reale me të cilat po përballet vendi e populli ynë. Ne kurrë nuk kemi pasur një situatë më komplekse dhe më të vështirë se sot.

Ai shtoi se “autoritetet serbe po kërkojnë të vazhdohet vlefshmëria për targat KS, që kanë status neutral”. Por, këto targa nuk lëshohen nga Kosova që nga shtatori 2020.