Aktualitet

Tregtonin ushqime jo të sigurta në Tiranë, gjoba 20 subjekteve!

Rreth 30 gjoba, ndërprerje aktiviteti, si dhe bllokime të mbi 60 mijë vezëve, 30 kilogramëve mish e rreth 150 kg produkte të ndryshme ushqimore për mungesë etiketash. Ky është rezultati i disa inspektimeve e monitorimeve të kohëve të fundit në Tiranë nga AKU, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Për t’iu garantuar më shumë siguri konsumatorëve, ndërsa afrojnë festat e fundvitit, AKU zotohet të mos lejojë abuzimet. Masat ndëshkimore u vunë për 20 subjekte në kryeqytet.

Njoftimi zyrtar:

Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë ushtruar 33 inspektime dhe monitorime në Tiranë, në subjekte që ushtrojnë aktivitetin e tregtimit me pakicë të vezëve, të mishit të pulës, të mishit, në supermarkete dhe pastiçeri.

Gjatë ushtrimit të kontrolleve në 20 subjekte janë konstatuar tregtim i ushqimit të pasigurtë, në mungesë gjurmueshmërie, etiketimi, kontraetiketës në gjuhën shqipe të produkteve ushqimore të importit, mungesë të kushteve higjieno-sanitare, si dhe vezë të vendosura nëpër kuti pa logon e vulat përkatëse.

Për shkeljet e konstatuara trupat inspektuese të AKU-së vendosën 27 masa administrative me gjobë në vlerën e 2’450’000 lekë, një ndërprerje aktiviteti, si dhe u krye bllokimi i sasisë prej 60.772 kokrra vezë, 30 kg mish në mungesë të vulave dhe certifikatave veterinare dhe 149 kg produkte të ndryshme ushqimore për mungesë etiketimi.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të qëndrojë pandërprerë në terren, edhe përgjatë festave të fundvitit, në garantim të sigurisë ushqimore për konsumatorët.