Celebrities Showbiz

Vanessa Bryant fiton seancën gjyqësore kundër qarkut të Los Angeles-it!

Në muajin qershor u bë e ditur se familja e Kobe Bryant dhe ajo e viktimave të rrëzimit të helikopterit në kodrat e Calabasas në janar të vitit 2020, ku humbën jetën ylli i basketbollit të NBA-së, vajza e tij 13-vjeçe Gianna dhe 7 persona të tjerë, arritën një marrëveshje për t’i dhënë fund procedurave ligjore kundër pilotit dhe kompanisë së avionit, siç raportohej nga mediat amerikane.

Megjithatë edhe sot e kësaj dite, aksidenti me helikopter, që vrau Kobe Bryant dhe vajzën e tij Gigi, vazhdon të ngjallë përplasje mes bashkëshortes së ish-lojtarit të Lakers dhe kompanisë që zotëronte mjetin fluturues, në bordin e të cilit në momentin e rrëzimit humbën jetën edhe shtatë persona të tjerë. Vanessa Bryant vendosi të padiste qarkun e Los Angeles, pasi disa agjentë morën fotografi të aksidentit pa leje dhe i përdorën për arsye personale. Tani është vetë qarku i Los Angeles që ka vendosur të kundërpërgjigjet duke kërkuar që bashkëshortja e Bryant t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik.

Me këto dëshmi, mbrojtja e qarkut në Kaliforni do të përpiqet të dëshmojë se Vanessa pësoi depresion dhe ankth emocional për shkak të humbjes së bashkëshortit dhe vajzës së saj dhe jo për shkak të fotove që u zbuluan. Sipas mediave të huaja, mbrojtja e Los Angeles po kërkon një urdhër gjykate për të siguruar të dhënat mjekësore si pjesë të mbrojtjes.

Megjithatë, së fundmi mësohet se Vanessa Bryant, ka fituar betejën ligjore në padinë e saj kundër qarkut të Los Angeles. Ky vendim detyron me një urdhër gjykate sherifin e qarkut dhe shefin e zjarrfikësve t’u përgjigjen pyetjeve se kush i shpërndau fotot e aksidentit ajror të burrit të saj dhe vajzës. Padia e Bryant u ngrit për cënim të privatësisë dhe neglizhencë, duke pretenduar se sherifi i qarkut dhe punonjësit e zjarrfikësve shpërndanë në mënyrë të pahijshme foto të mbetjeve njerëzore dhe të helikopterit, ku u vra burri i saj, legjenda e NBA-së, vajza e tyre dhe shtatë miq të tjerë në janar të 2020-ës.

Sherifi Villanueva dhe Shefi i Zjarrfikësve Osby, të pranishëm në vendngjarje atë ditë, kanë dijeni dhe janë përgjegjës për njeriun që shpërdau ose shiti ato foto. Përgjegjësia, në bazë të rregullores, do të bjerë gjithsesi mbi institucionet ku ata punojnë, duke qenë se për shkak të padive të shpeshta me të cilat punonjësit përballen në situata të ngjashme, fajin e merr përsipër institucioni. Seanca e radhës do të jetë në muajin shkurt dhe Bryant po kërkon dëmshpërblim dhe ndëshkim, duke kërkuar që përgjegjësit t’i bëjë shembull për komunitetin.

Rikujtojmë se, Vanessa Bryant është shprehur së fundmi për vdekjen e bashkëshortit të saj. Vanessa ka treguar se lajmin tronditës e ka marrë vesh përmes rrjeteve sociale, nga lajmërimet që i kanë shkuar në telefon të cilat thonin “RIP Kobe”.