Bota

Viktima dhe të plagosur nga bombardimet ruse në Ukrainë!

Lufta në Ukrainë, të paktën tre persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga bombardimet e forcat ruse në Kiev. Pas një serie të raportuar prej 17 sulmesh me dronë e raketash në kryeqytetin ukrainas në muajin maj, trupat e Moskës e nisën qershorin duke vazhduar sulmet në Kiev, që në orët e para të mëngjesit.

Administrata e qytetit bëri të ditur se një fëmijë ishte mes viktimave dhe 10 persona u plagosën. Po ashtu, sulmi dëmtoi ndërtesa banimi, një klinikë mjekësore, një tubacion uji e makina. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës raportoi se Forcat Ajrore penguan 10 raketa, të identifikuara si raketa balistike Iskander, me rreze të shkurtër veprimi.

Vazhdimisht, Rusia ka shënjestruar Kievin me valë sulmesh me dronë dhe raketa, që nga fillimi i pushtimit. Por, sulmet kundër kryeqytetit janë intensifikuar muajin e kaluar, ndërsa Ukraina përgatitet për një kundërofensivë.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës është bërë gjithnjë e më efektive në përgjimin dhe rrëzimin e dronëve e të raketave ruse, por mbetjet e raketave që shkatërrohen në qiell, mund të shkaktojnë zjarre e të lëndojnë njerëz kur bien poshtë.

Në lagjen Desnianski, mbetjet ranë mbi një spital për fëmijë dhe një ndërtesë shumëkatëshe aty pranë. Dy shkolla e një departament policie u dëmtuan.

Në një lagje tjetër, Dniprovski, një ndërtesë banimi u dëmtua nga djegia e mbeturinave dhe u ngrit tym i madh. Vala e shpërthimit hodhi në erë dritaret, makinat e parkuara morën flakë e mbeturinat ranë në rrugë dhe oborre.

Në lagjen Darnitski u prek një tubacion uji dhe një ndërtesë banimi, ndërsa forca e eksplozivit theu xhamat.

Pasi një grua u vra duke parë një sulm ajror nga ballkoni i saj në fillim të kësaj jave, autoritetet e Kievit u kërkuan banorëve të dëgjojnë sirenat paralajmëruese e të qëndrojnë në streha ose të tjera vende të sigurta.

Duhet të jeni vigjilentë, pasi raketat balistike fluturojnë me shpejtësi të jashtëzakonshme. Nga momenti i shpalljes së alarmit deri në mbërritjen e raketës, keni vetëm disa sekonda.

Dje, forcat ruse kryen tre sulme ajrore në rajonin Herson, si dhe me raketa e artileri të rënda në të tjera pjesë të rajonit.