Botë e Çuditshme Lifestyle

Zbulimi i jashtëzakonshëm vjen nga brigjet e Puglia-s!

Një anije romake e fundosur 2 mijë vjet më parë, është gjetur në fund të detit në rajonin jugor të Puglia-s. Zbuluesi ka qenë Fabio Matacchiera, profesor historie dhe i apasionuar pas arkeologjisë, i cili nëpërmjet një GPS të veçantë hartografik, ka bërë zbulimin e jashtëzakonshëm. Fillimisht, ai ka gjetur disa qindra pllaka prej guri dhe objekte të fshehura nën rërë dhe midis shkëmbinjve, në brigjet e Tarantos.

Kjo e ka bërë atë të mos e ndalë kërkimin dhe të zbulojë anijen e fundosur. Të dhënat e mbledhura nga Matacchiera u analizuan më pas nga arkeologët të cilët konfirmuan teorinë e fundosjes së një anijeje në periudhën perandorake romake, midis shekujve 1 dhe 4 pas Krishtit.

Sipas arkeologëve, ngarkesa e anijes supozohet se është përdorur për rinovimin e dikurshëm të vilave bregdetare në këtë zonë, të cilat shquheshin për luksin dhe rezidencat e veçanta private. Gjatë zhytjes së tij, profesori i historisë gjeti gjithashtu një spirancë hekuri me boshtin e thyer, çka sipas tij, provon që para fundosjes anija është përplasur me shkëmbinjtë, si shkak i një stuhie të papritur.