Botë e Çuditshme Design

Zbulohen rrënojat e sinagogës së Mynihut, Hitleri kishte urdhëruar të zhdukeshin nga “faqja e dheut”!

Disa punëtorë ndërtimi në Gjermani kanë zbuluar pranë lumit në Mynih rrënojat e sinagogës më të madhe që u shkatërrua nga Hitleri rreth 85 vite më parë. Punëtorët gjetën disa kolona të sinagogës dhe një pllakë të madhe guri ku ishin shkruar 10 urdhëresat, një zbulim ky që cilësohet i jashtëzakonshëm nga komuniteti hebre.

Deri tani nuk kishte asnjë të dhënë për fatin e kësaj ndërtese të shenjtë, pasi në qershor të vitit 1938 Hitleri urdhëroi që ajo të fshihej nga faqja e dheut. 5 muaj më vonë sinagogat dhe bizneset e drejtuara nga hebrenjtë u sulmuan në të gjithë Gjermaninë naziste, në programin famëkeq të asaj kohe, të njohur si “Nata e Kristaltë”. Drejtori i muzeut hebre, Purin tha se:

Dje pashë rrënojat për herë të parë dhe ishte një nga momentet më prekëse në 30 vitet e punës veçanërisht kur pashë pllakën e Dhjetë Urdhëresave që ishte zhdukur nga viti 1938.

Pllaka prej guri fillimisht erdhi nga sipër Arkës që përmban Torën në murin lindor të sinagogës, e cila ishte një nga monumentet më të famshme të Mynihut të paraluftës. Kryetari i Bashkisë së Mynihut, Dieter Reiter tha se gjetja e rrënojave të një ndërtese kaq madhështore ishte një fat. Zëvendësja e tij Katrin Habenschaden tha se ishte detyra historike e qytetit ta bënte zbulimin të sigurt dhe t’ia kthente atë komunitetit hebre.