Health & Beauty Lifestyle

Zbuloni se ku shfaqen shenjat e para të Alzheimer!

Sytë mund të ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të sëmundjes Alzheimer përpara se të fillojnë simptomat. Në këtë përfundim ka arritur një studim i fundit, i cili ekzaminoi indet e retinës dhe trurin e 86 njerëzve me shkallë të ndryshme të rënies mendore. Sipas studimit një ditë mjekët mund të përdorin testet e syve për të identifikuar rënien njohëse menjëherë pasi të fillojë. Një nga autorët e studimit tha:

Studimi ynë është i pari që ofron analiza të thella të profileve të proteinave dhe efekteve molekulare, qelizore dhe strukturore të sëmundjes së Alzheimerit në retinën e syrit të njeriut dhe se si ato korrespondojnë me ndryshimet në tru dhe funksionin njohës. Këto ndryshime në retinë lidhen me ndryshimet në pjesët e trurit të quajtura korteks entorhinal dhe temporal, një qendër për kujtesën dhe perceptimin e kohës.

Sipas studiuesve, sëmundja e Alzheimerit fillon në tru dekada përpara simptomave të para të humbjes së kujtesës. Sipas mjekëve sëmundja ka avancuar shumë nga koha kur preken kujtesa dhe sjellja. Okulistja Dr.Christine Greer tha:

Syri është dritarja në tru. Ju mund të shihni drejtpërdrejt në sistemin nervor duke parë në pjesën e pasme të syrit, drejt nervit optik dhe retinës.

Neurologu Richard Isaacson nënvizoi:

Nëse mjekët janë në gjendje të identifikojnë sëmundjen në fazat e saj më të hershme, njerëzit mund të bëjnë zgjedhje të shëndetshme jetese dhe të kontrollojnë faktorët e rrezikut të modifikueshëm, si presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë dhe diabeti.

Rikujtojmë, se Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi së fundmi një ilaç të ri që duket se ngadalëson përparimin e sëmundjes Alzheimer. FDA tha se Leqembi i njohur kimikisht si lecanemab do t’u jepet pacientëve me faza të lehta ose të hershme të sëmundjes së përkeqësimit të trurit. Ndërkaq, shkencëtarët kanë zhvilluar një test gjaku për të diagnostikuar sëmundjen e Alzheimerit pa pasur nevojë për skaner të trurit ose për ndërhyrje të dhimbshme ku një mostër e lëngut cerebrospinal (CSF) merret nga pjesa e poshtme e shpinës.