Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e kinemasë amerikane. Regjisori i njohur Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij, Michele Singer Reiner, u gjetën të vdekur në banesën e tyre në Los Angeles, të dielën më 14 dhjetor. Lajmi ka shkaktuar reagime të forta në Hollywood dhe më gjerë.
Vajza e tyre, Tracy Reiner, 61 vjeçe, ka folur për mediat amerikane duke shprehur tronditjen e thellë që ka përjetuar familja.
Vij nga një familje e mrekullueshme. Nuk di çfarë të them. Jam ende në gjendje shoku
-u shpreh ajo për NBC News.
Sipas raportimeve nga mediat amerikane, zjarrfikësit dhe shërbimet emergjente u thirrën në rezidencën e çiftit rreth orës 15:30 për një rast ndihme mjekësore.
Pak më vonë u konfirmua se viktimat ishin Rob Reiner, 78 vjeç, dhe Michele Singer Reiner, 68 vjeçe.
Departamenti i Policisë së Los Angelesit konfirmoi përmes një konference për shtyp se ka nisur një hetim për vrasje të dyfishtë, pasi të dy trupat u gjetën me plagë të shkaktuara nga thika. Për momentin, autoritetet nuk kanë bërë të ditur emra të dyshuarish dhe kanë theksuar se nuk ka persona të shpallur në kërkim.
Rob dhe Michele Reiner ishin të martuar që prej vitit 1989 dhe kishin katër fëmijë: Tracy, Jake, Nick dhe Romy Reiner. Rob Reiner ishte një figurë emblematike e kinemasë amerikane, fitues i çmimeve Emmy dhe regjisor i filmave që kanë lënë gjurmë, si When Harry Met Sally, This Is Spinal Tap dhe The Wolf of Wall Street.
Vdekja e çiftit ka ngjallur reagime të shumta nga personalitete të njohura të industrisë së filmit.
Aktori Ben Stiller e përshkroi Reiner si një nga regjisorët e tij të preferuar, duke e cilësuar si të zgjuar, të kujdesshëm dhe jashtëzakonisht humorist.
Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike vijojnë, ndërsa komuniteti artistik dhe familja po përballen me një humbje të rëndë dhe tronditëse.