Aktualitet

Veliaj ende në seancë në GJKKO, dhjetëra mbështetës mblidhen jashtë Gjykatës për të protestuar!

Ndërsa vijon prej disa orësh seanca gjyqësore në GJKKO ndaj Erion Veliajt, jashtë ambienteve të Gjykatës së Posaçme kanë nisur të grumbullohen mbështetës të tij.

Të grumbulluar jashtë GJKKO, ata do të protestojnë për arrestimin e Veliajt.

Kujtojmë se kreu i bashkisë së Tiranës është arrestuar ditën e hënë me urdhër të SPAK.

Seanca nisi me vonesë për shkak të problemeve me energjinë elektrike, ndërsa u shty për orën 13:30 raporton gazetarja Anila Hoxha, pasi avokatët kërkuan të njihen me dosjen.

Seanca vijon prej 2 orësh në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion.

Në të njëjtën seancë janë edhe biznesmeni Elman Abule, i dyshuar për pastrim parash dhe pesë të tjerët detyrim paraqitje që janë Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.

Gjyqtari që ka miratuar masën e arrestit me burg për Erion Veliaj dhe arrest shtëpiak për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa shpjegon se ekziston dyshimi që ata mund të largohen, dhe se rrezikojnë të kryejnë krime njësoj të rënda si ato për të cilat po hetohen.

Për Erjon Veliajn gjykata kujton se ai vijon të ushtrojë funksione publike  dhe ekziston rreziku të abuzojë me detyrën. Po ashtu, ekziston rreziku të impaktojë provat dhe dëshmitarët.

Si shembull gjykata përmend sjelljen e kryebashkiakut që dyshohet se ju shkroi mesazh hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Një precedent tjetër i intimidimit të dëshmitarëve është edhe ai që hedh hije dyshimi edhe ndaj deputetes socialiste Klotilda Bushka, që dyshohet se ka  orientuar shtetasen Ina Goxhaj se çfarë duhet të thoshte në SPAK.

Dëshmitares thotë SPAK i është marrë telefoni duke iu zëvendësuar me një tjetër telefon. Ndërkohë që Abule dyshohet se ka pastruar paratë përgjatë një kohë të gjatë, ndryshe nga pesë biznesmenët të cilët ka të dhëna se kanë korruptuar për të marrë si shpërblim leje apo fonde publike.

Mes provave të administruara janë edhe deklaratat e pasurisë së kryebashkiakut Erion Veliaj prej 2013, si dhe informacioni i dëshmitarit X, i vetëidentifikuar si Nesti Angoni i cili në rrugë anonime në 2023 dërgoi të dhëna në prokurorinë e posaçme, duke e vënë në lëvizje këtë të fundit.