Aktualitet

Veliaj kundër Presidentit: Nëse gjykata nuk e pezullon dekretin…

Erion Veliaj shton edhe një ankesë tjetër në Gjykatën Kushtetuese.

Siç bëjnë me dije burimet e gazetares së Top Channel Anila Hoxha, avokatët e Veliaj  kanë shtuar  objekt në ankimin e dorëzuar në Kushtetuese, duke përfshirë dekretin dhe pezullimin e tij të pjesshëm, për sa i përket pjesës së zgjedhjeve në Tiranë.

“Vetë Gjykata Kushtetuese, nëse nuk pezullon menjëherë dekretin, do të gjendej përpara një realiteti të kryer ku edhe një vendim i saj shfuqizues nuk do të mund të rivendoste gjendjen e mëparshme, pasi procesi zgjedhor do të kishte prodhuar pasoja të pakthyeshme, përfshirë zgjedhjen e një kryetari të ri”, thuhet në shkresë.

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar datën e zgjedhjeve në 6 bashkitë e vendit, përfshirë edhe Tiranën.

Zgjedhjet do të mbahen më 9 nëntor 2025.

Bëhet fjalë për zgjedhjet në bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.

Kujtojmë se për Bashkinë e Tiranës ka një debat në lidhje me ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve të parakohshme.

Kjo për shkak se Erion Veliaj e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin e tij si kryebashkiak i Tiranës me vendim të Këshillit të Ministrave.

Referuar Kushtetutës, i gjithë procesi për Tiranën pezullohet deri në një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese.