Përmes një njoftimi në Facebook, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj fton qytetarët që të aplikojnë në Fondin e Komunitetit përmes të cilit mund të vendosësh edhe një ashensor të ri në pallatin ku banon. Ai shkruan se për të moshuarit dhe pensionistët projektet financohen 100% nga bashkia.
Postimi i plotë:
“A e dije se duke aplikuar në Fondin e Komunitetit mund të vendosësh edhe një ashensor të ri në pallatin ku banon? Për të moshuarit dhe pensionistët projektet financohen 100% nga Bashkia e Tiranës. Ndiqe videon dhe mëso më shumë”, shkruan Veliaj.
Qëllimi i Fondit të Komunitetit është të nxisë bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve dhe Bashkisë Tiranë për përmirësimin e ambienteve të përbashkëta në ndërtesat në bashkëpronësi, përmes një skeme bashkëfinancimi. Me anë të këtij investimi të përbashkët arrihet që të rritet edhe vlera e pronës.
Ndërkohë Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion vendosi të shtojë akuzat ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa.
Pas hetimeve, SPAK shprehet se ka dyshime se ata kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Pas kërkesës së SPAK, GJKKO vendosi sekuestrimin e dy pasurive të çiftit.
Në deklaratë theksohet se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se Veliaj dhe Xoxa kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri, njëra prej të cilave shtesë pasurie, të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, ku aktualisht ata jetojnë.