Aktualitet

Veliaj në GJKKO, qindra mbështetës të kryebashkiakut dhe anëtarë të PS para SPAK!

Qindra qytetarë dhe anëtarë të Partisë Socialiste të Tiranës janë mbledhur sot pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në mbështetje të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Mbështetësit kanë shprehur solidaritetin e tyre ndaj Veliajt, ata kanë brohoritur në shenjë përkrahjeje.

Erion Veliaj, i cili u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 Shkurt për akuzat e korrupsionit pasiv dhe pastrim parash, mbërriti mëngjesin e sotëm në ambientet e GJKKO-së për rivlerësimin e masës së sigurisë.

Po ashtu, në GJKKO është paraqitur edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, e cila është lënë në masë sigurimi “arrest shtëpie”.

Në gjykatë do të jenë edhe 5 biznesmenët shqiptarë, Elman Albule, i cili u vendos në pranga, si edhe Gentjan Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi e Shkelqim Fusha, ndaj të cilëve është caktuar “detyrim paraqitje”.

Biznesmenët, sipas dosjes, kanë bashkëpunuar në kryerjen e veprave penale nga ana e kreut të Bashkisë.

AKUZAT E SPAK:

Prokuroria e Posaçme SPAK ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e Erion Veliajt, masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ ndaj bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe masat e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ ndaj 5 biznesmenëve.

Sipas SPAK, Erion Veliaj akuzohet “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ajola Xoxa akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, akuzohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

Gjithashtu masë sigurie “arrest në burg” është caktuar ndaj një zyrtari, emri i të cilit ende nuk është publik.