Travel

Venecia fsheh një tjetër botë, lagunën që përshkohet me varkë!

Venecia në Itali është e njohur për Sheshin Shën Markut, gondolat dhe kanalet e ngushta që përshkojnë të gjithë qytetin. Por përtej këtyre simboleve fshihet një tjetër botë. Lagunat janë plot me ishuj të vegjël, histori të pazbuluara dhe banorë që ruajnë mënyra jetese unike. Një udhëtim me varkë është mënyra më e mirë për t’i përjetuar ato.

Nga ikonat te sistemet e padukshme

Matteo Vianello, kapiten dhe themelues i Classic Boats Venice, udhëheq vizitorët në ture private me varka historike. Duke lundruar me “Sweet Molly”, një varkë elegante e viteve ’30, rruga nis nga Lido, ishulli i njohur për plazhet dhe Festivalin e Filmit.

Për Matteon, Venecia nuk është vetëm qendra historike, por një sistem i tërë ishujsh ku uji përcakton jetën.

Ishuj me histori dhe mister

Torcello tërheq me mozaikët bizantinë, ndërsa San Francesco del Deserto mbetet një strehë e qetë për murgjit. Shumë ishuj janë të panjohur për turistët, çka i ka ndihmuar të ruajnë autenticitetin. Në Lazzaretto Nuovo, ish-karantinë e shekullit XVI, një grup vullnetarësh ka rikthyer në jetë ndërtesat e braktisura, duke i kthyer në muze dhe qendër kërkimore.

Aty mund të shihen objekte arkeologjike dhe muret me vizatime origjinale të rojeve. Përreth shtrihen kënetat e lagunës ku ndalen mbi 300 mijë zogj shtegtarë.

Kopshti i fshehtë i Venecias

Në Sant’Erasmo, i njohur që nga Mesjeta si “kopshti i perimeve të Venecias”, toka pjellore prodhon varietete të rralla. Familja Finotello, pronare e fermës I Sapori di Sant’Erasmo, kultivon agjinare sipas traditave të vjetra.

Për Mirellan, zonjën e moshuar të familjes, sekreti është natyra: “Kur diçka është e mirë, shijohet në thjeshtësinë e saj”.

Nga turizmi kulturor te kuzhina vendase dhe biodiversiteti i pasur, laguna ofron një udhëtim që të largon nga turmat e Sheshit Shën Markut dhe të sjell pranë banorëve që jetojnë prej shekujsh me ritmin e ujit.

Një anë tjetër e Venecias, më e qetë, më e vërtetë dhe po aq mbresëlënëse. / shqip.al