Art & Kulturë Bota

Vepra më e shtrenjtë e artit modern e shitur ndonjëherë në ankand!

Një tualet prej ari dhe një pikturë gati e shkatërruar e Klimtit hapën ankandin e parë të Sotheby’s në selinë e re në Nju Jork, në një mbrëmje plot zhurmë. Që në fillim, vepra kryesore, “Portreti i Elisabeth Lederer” nga Gustav Klimt, u shit për 236.4 milion dollarë, duke u bërë vepra moderne më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në ankand dhe shitja më e madhe në historinë globale të Sotheby’s.

Portreti, i realizuar në vitet e fundit të jetës së Klimtit, i mbijetoi shkatërrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi u nda nga punët e tjera që u dogjën në kështjellën Immendorf në Austri. Kjo ishte “një nga mundësitë e fundit” për të blerë një portret të tillë të artistit, tha drejtuesi i ankandit Oliver Barker. Piktura e Lederer thyen rekordin e mëparshëm të Andy Warhol.

Ajo ishte pjesë e koleksionit të Leonard A.Lauder, trashëgimtar i Estée Lauder, i cili ndërroi jetë këtë vit. Ankandi solli rezultate të larta: një pikturë e Munch u shit për 35.1 milion dollarë dhe një peizazh tjetër i Klimt për 86 milion. Vetë koleksioni Lauder ka arritur deri tani 527.5 milion dollarë, përtej parashikimeve.

Mbrëmja shënoi një rikthim të fortë të tregut të artit të nivelit të lartë, pas mbi dy vitesh ngadalësimi. Duke përfshirë edhe shitjet bashkëkohore, Sotheby’s arriti 706 milion dollarë, një rekord personal.

Shitja e dytë u kryesua nga një vepër e Jean-Michel Basquiat për 48.3 milion dollarë, ndërsa artistja britanike Cecily Brown vendosi rekord me 9.8 milion dollarë. Megjithatë, disa vepra kryesore, përfshirë ato të Kerry James Marshall-it e Barkley L. Hendricks-it, nuk gjetën blerës.

Ndër “ofertat” më të pazakonta ishte një tualet prej 18 karatësh ari i artistit konceptual Maurizio Cattelan, i quajtur “America,” që mori vetëm një ofertë, nga kompania Ripley’s Believe It or Not! dhe u shit për 12.1 milion dollarë me tarifa.

“America” u shfaq në një banjë të vogël me pasqyra në katin e katërt të godinës së re të Sotheby’s, e cila ndodhet pranë Museum Mile, duke shënuar një hap të rëndësishëm për institucionin. Hapja vjen në një periudhë të luhatshme për tregun global të artit: shitjet ranë për të dytin vit radhazi në 2024, galeri të mëdha mbyllën dyert dhe shtëpitë e ankandeve shënuan rënie.

Megjithatë, disa shenja pozitive kanë rishfaqur optimizëm, përfshirë shitjet e suksesshme të koleksioneve të tjera dhe performancën e mirë të Christie’s, që arriti 690 milion dollarë. Më vonë këtë javë, Sotheby’s synon një tjetër rekord të mundshëm me veprën e Frida Kahlo “El sueño (La cama),” e cila mund të thyejë rekordin e Georgia O’Keeffe për artistet femra./shqip.al