Britney Spears ka fshirë llogarinë e saj në Instagram, pas disa javësh postimesh që ngjallën shqetësim mes fansave dhe në mes të një përplasjeje publike me ish-bashkëshortin e saj, Kevin Federline.
Që prej 2 nëntorit, profili i këngëtares nuk është më i qasshëm, ndërsa kur kërkohet emri i saj, shfaqet njoftimi “profili i padisponueshëm”.
Vendimi i Spears vjen pas një periudhe postimesh të çuditshme në rrjet, ku ajo publikonte video duke kërcyer, shpesh me mbishkrime misterioze për jetën e saj personale dhe djemtë Sean Preston e Jaden James.
Në disa prej tyre, ajo u shfaq me mavijosje dhe fasha në duar, duke shpjeguar se ishte rrëzuar nga shkallët.
Djemtë e mi u detyruan të ktheheshin në Maui. Kështu shprehem dhe lutem përmes artit. Nuk dua mëshirë, dua vetëm të jem një grua e mirë dhe të shërohem
-kishte shkruar ajo në njërin prej postimeve.
Në një tjetër postim, Spears foli për periudhën e saj të vështirë në vitin 2018, kur ishte nën kujdestari dhe kaloi katër muaj në një qendër rehabilitimi, duke zbuluar se kishte pësuar “dëmtime në tru” si pasojë e asaj kohe.
Ndërkohë, fshirja e llogarisë vjen në të njëjtën kohë me publikimin e librit të ri të Federline, “Thoshe se e dije”, ku ai bën një sërë akuzash ndaj Spears, përfshirë edhe ato për rolin e saj si nënë dhe për problemet gjatë martesës së tyre.
Këngëtarja reagoi më 15 tetor përmes platformës X, ku akuzoi Federline për “manipulim të vazhdueshëm” dhe mbrojti marrëdhënien e saj me fëmijët.
Të të duan me një zemër të pafajshme si e imja, ndërkohë që të bëjnë të ndihesh i keq dhe përfitojnë nga dhimbja jote — kjo është e padrejtë
-shkroi ajo.
Fshirja e profilit të Spears ka rikthyer edhe njëherë shqetësimin e fansave për gjendjen e saj emocionale, ndërsa vetë artistja nuk ka dhënë ende asnjë deklaratë zyrtare.