Kevin Federline ka zbuluar momentin vendimtar që e shtyu t’i japë fund martesës me Britney Spears, duke treguar se gjithçka nisi me një telefonatë të çuditshme në orët e para të mëngjesit, ku përfshiheshin edhe Paris Hilton dhe Lindsay Lohan.
Në librin e tij të sapobotuar “You Thought You Knew”, ish-balerini dhe ish-bashkëshorti i Spears rrëfen se ajo periudhë ishte kulmi i një martese që tashmë po shpërbëhej.
Isha në Miami për punë dhe mora një telefonatë. Ishin ajo, Paris Hilton dhe Lindsay Lohan në linjë, të dehura keq, që më luteshin të shkoja atje. Në sfond dëgjova fëmijët tanë, Preston dhe Jayden, duke qarë. Duhej të ishte tre ose katër e mëngjesit. Ajo telefonatë ishte pika e fundit
-shkruan ai, sipas TMZ.
Federline shton se kishte parë tashmë fotot e Spears në tabloide, ku ajo shfaqej duke festuar gjatë gjithë natës në shtëpinë e Hilton në Malibu, por dëgjimi i fëmijëve duke qarë ndërsa ajo vazhdonte jetën e natës ishte momenti që e theu përfundimisht.
Çdo shpresë që kisha se mund ta rregullonim për hir të fëmijëve, vdiq atë natë
-rrëfen ai.
Në libër, 47-vjeçari zbulon gjithashtu një tjetër incident që përkeqësoi marrëdhënien e tyre: sipas tij, Spears e kishte goditur me shuplakë gjatë një shpërthimi zemërimi, pasi një mik i tij kishte sjellë marijuanë në shtëpi.
Federline dhe Spears, të cilët u martuan në vitin 2004 dhe u divorcuan në 2007, kanë së bashku dy djem: Sean Preston, lindur në 2005, dhe Jayden James, lindur në 2006. Federline shkruan se Spears “nuk ishte ende e gatshme të ndryshonte” dhe se ai “nuk mund të vazhdonte të priste që ajo ta kuptonte”.