Kevin Federline ka zbuluar detaje të reja mbi jetën e tij financiare pas divorcit nga Britney Spears, duke rrëfyer se si i shpenzoi paratë që mori nga marrëveshja e ndarjes.
Në librin e tij të ri me titull “Thoshe se e dije”, ish-balerini 47-vjeçar tregon se pas ndarjes me këngëtaren në vitin 2006, ai mori 20 mijë dollarë në muaj për mbështetjen e dy djemve të tyre, Sean Preston dhe Jaden James, si dhe 20 mijë dollarë të tjera në muaj si mbështetje bashkëshortore për gjysmën e kohëzgjatjes së martesës së tyre 26-mujore.
Federline përmend edhe një marrëveshje shtesë financiare, por pa zbuluar shifrën e saktë – e raportuar më herët se varionte mes 1 dhe 1.3 milionë dollarësh.
Ai kujton se avokati i tij i kishte sugjeruar të kursente 1 milion dollarë për investime të sigurta, por ai e kishte injoruar këshillën, duke menduar se do t’i fitonte shpejt sërish.
Tani e kuptoj se nuk isha aspak i sigurt financiarisht
-shkruan Federline, duke shtuar se shpenzimet për strehim, transport, siguri dhe kujdes për fëmijët në Los Angeles e përthithën shpejt pasurinë.
Edhe pse kishte nënshkruar një marrëveshje paramartesore me Spears, Federline tregon se atëherë nuk e kishte marrë seriozisht.
Nuk isha ndonjë djalë dembel që priste të jetonte me paratë e Britney-t. Unë punoja, investoja dhe përpiqesha të krijoja diçka timen
-shkruan ai, duke përmendur angazhimet e tij në reklama, evente dhe paraqitje publike.
Autobiografia e tij është pritur me shumë interes nga fansat e këngëtares, të cilët e kanë quajtur rrëfimin një tjetër “faqe të hapur” në historinë e trazuar të marrëdhënies së tyre.