Nënkryetari i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj mori fjalën në Kuvend për të ironizuar jo vetëm projektligjin e propozuar nga Ministria e Energjetikës për performancën energjetike të ndërtesave, por edhe fjalimet e socialistëve.
Opozita kërkoi që prezantimi të bëhej nga ministria Belinda Balluku, por në mungesë të saj, ishte ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili shpjegoi rëndësinë e këtij projektligji. Për këtë fakt, Gjekmarkaj e cilësoi Ballën “yzmeqar të Ministrisë së Energjetikës”.
“Duket qartë që ky është një projektligj që e nxjerr Shqipërinë në selamet. Dua të përgëzoj zotin Balla, i cili e ka kuptuar që nuk e justifikon dot rrogën si ministër për Parlamentit dhe ka dy seanca që është bërë yzmeqar pranë Ministrisë së Energjetikës”.
Më tej, Gjekmarkaj ironizoi fjalimet e kolegëve socialistë dhe me nota të forta satire, kërkoi ngritjen e një komisioni estetik, për të shpallur fjalimin më të bukur.
“Por, thelbi i ndërhyrjes nuk ishte ky në fakt, por dy fjalimet e zotit Balla, fjalimi i zonjës Resuli, fjalimi i zonjës Antoneta dhe fjalimi i Dilo Nasufit, të cilët meritojnë një komision estetik, do të propozoja Pastorin, njeriun e Zotit, Toni Gogun, sepse janë nivele të larta estetike dhe të shpallet Miss Fjalimi ose Miss Oratoria.
Spiropali: Mund t’i bëni me shkrim këto zoti Gjekmarkaj. Jua dhashë fjalën si nënkryetar parlamenti, por kjo nuk është për procedurë. Fjalimi fitues të lexohet në seancën e fundit për higjienë mendore dhe shpirtërore në shenjë respekti për deputetët”.