Forcat ajrore të Ukrainës thonë se Rusia lëshoi 150 dronë në qytetet e saj gjatë natës.
Forcat ajrore thanë se kanë rrëzuar 64 prej tyre dhe 62 dronë të tjerë nuk i kanë arritur objektivat e tyre, me shumë mundësi për shkak të kundërmasave të luftës elektronike.
Nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur me 24 dronët e mbetur.
Lajmi vjen teksa Ukraina dhe SHBA një ditë më parë nënshkruan marrëveshjen e shumëpritur për mineralet e rralla të tokës ukrainase, që tregon bashkëpunimin e vazhdueshëm midis dy vendeve edhe pas ardhjes së Trump në detyrë.
Në marrëveshje nuk kishte garanci sigurie për Ukrainën, por nënshkrimi i saj ka alarmuar disi Kremlinin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe zv.presidenti JD Vance shprehën pasiguri lidhur me shanset për arritjen e një marrëveshjeje të paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Mendoj se e dimë se ku ndodhet Ukraina dhe e dimë se ku ndodhet Rusia tani… Ato janë më afër, por ende larg njëra-tjetrës, u shpreh Rubio për Fox News.
Ndërkaq, duke folur në një intervistë të veçantë për të njëjtin rrjet, Vance shkoi më tej, teksa theksoi se “lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë së shpejti”. Rubio vuri në dukje se nëse së shpejti nuk ka përparim të vërtetë në luftën në Ukrainë, presidenti amerikan, Donald Trump duhet të vendosë se sa kohë do t’i kushtojë procesit të negociatave.